Albanologjia shqiptare pa vëmendjen e duhur nga shteti, pa kushte për studiuesit dhe me buxhete të pakta për botimet dhe punën kërkimore, ka bërë që ata të pohojnë shumë vështirësi. Studiuesit shprehen se duhet të ketë ndryshim të politikave të shtetit, pasi është një situatë, që po përballen me shumë probleme. Ata pohojnë se qeveritë ndër vite nuk kanë ndryshuar këtë gjendje me probleme sa i takon botimeve në gjuhë të huaj, për pjesëmarrjen në konferenca ndërkombëtare, pa dieta për punën etj. Prof. dr. Josif Papagjoni pohon se sot albanologjia shqiptare duhet të ballafaqohet dhe më shumë me arenën ndërkombëtare por buxhetet mungojnë nga shteti. “Studimet albanologjike kanë nevojë më së shumti sot për ballafaqime më të mëdha në arenën ndërkombëtare. QSA sot është Akademia e Shkencave Albanologjike, që është ngritur dhe në pikëpamje të statusit dhe ka nevojë për më shumë mbështetje financiare, që studiuesit tanë të shkojnë dhe në botë për të konfirmuar rezultatet e tyre dhe jashtë me botime me gjuhë të huaj. Por kjo është shumë e vështirë”, pohon studiuesi Papagjoni. Më tej ai shton se kërkesat bëhen në drejtim të institucioneve, por ka munguar vëmendja. “Gjithnjë buxhetet kanë qenë të limituara dhe asnjëherë inkurajuese. Unë apeloj që ata që kujdesen dhe menaxhojnë fondet për albanologjinë brenda Ministrisë së Arsimit të jenë më të vëmendshëm, sepse buxheti i shtetit që merr ASA është shumë pak. Nëse nuk ka një vizion të ndryshimit të politikave qeveritare atëherë problemet do të vijojnë të jenë të njëjta. Një profesor duhet të ketë një zyrë të vetën, por Institutet tona janë në kushte të ngushta. Kur marrin pjesë në konferenca jashtë shtetit punonjësit shkencorë duhet të paguhen. Edhe nëse krahasohemi me Kosovën një punonjës shkencor në Shqipëri merr gjysmën e punonjësit shkencor universitar të Kosovës, dhe në raport me vendet e tjera ballkanike është shumë keq punonjësi shkencor te ne”, vijon prof. dr. Josif Papagjoni.
Mjedise të kufizuara pune
Në reagimin e tij studiuesi pohon se albanologjia shqiptare e ka ngrënë goditjen e fortë që pas ‘90. “Nëse dikur institutet ishin 40-50 veta, sot janë me nga 10-15. Pra mungesa e personelit bëjnë që dhe produkti të jetë i vogël. Fondet që duhen për botime dhe hulumtime mungojnë. Kush do ti paguajë studiuesit për të bërë kërkime në arkiva jashtë? Duhet ta bëjë shteti. Arkeologët bëjnë shpenzime për ekspeditat me lekët e tyre. Nuk mbahet albanologjia pa buxhete, duhet një politikë ndryshe. Shteti deri tani ka dështuar në raport me albanologjinë. Fonde të pakta deri në zgrip, deri atje ku vetëm mund të mbijetohet të marrësh frymë”, pohon studiuesi Papagjoni. Edhe për akademikun Beqir Meta njëkohësisht dhe drejtor i Institutit të Historisë gjendja është alarmante. “Ne jemi prej vitesh në këtë gjendje dhe askush nuk dëgjon për problemet që ne themi. Kërkesat tona shteti i di, edhe ministrja na ka premtuar që do na mbështesë me buxhete më shumë, por deri tani nuk ka pasur”, pohon akademiku Meta. Më tej ai pohon se nga ministria përkatëse më tepër ka pasur fjalë të mira dhe premtime. “Ne na pëlqejnë dhe fjalët e mira dhe sikur janë një lloj ngushëllimi për atë mosmbështetje që është, por kjo nuk mjafton. Albanologjia ka një buxhet për rrogat, për dritat e ujë, dhe një buxhet vetëm për disa botime librash, dhe jo për të kryerje kërkimesh, etj. Ne shkojmë me paratë tona në konferenca, shfrytëzojmë ndonjë ftesë që na bëhet. Ne nuk kemi kushte pune, ndërtesa na është marr dhe gjëja që na dhemb dhe më shumë është që ka ikur Ministria e Integrimit nga aty që është ndërtesa jonë ajo dhe nuk e kemi ne. Ne e duam ndërtesën tonë, sepse studiuesit do të punojnë”, shprehet akademiku Beqir Meta. QSA (sot ASA) kryen kërkime në fushat e historisë, të arkeologjisë, të antropologjisë kulturore e studimit të artit, të gjuhësisë e të letërsisë, etj./Julia VRAPI