Avokati i Ronaldos: Akuzat ndaj lojtarit për t’i prishur imazhin, dokumentet janë përdorur nga hakerat

0
516

Kristiano Ronaldo është në hall të madh. Ai akuzohet për përdhunimin e një femre në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pikërisht në qytetin e Las Vegasit në vitin 2009. Kemi të bëjmë me një akuzë të ngritur nga Kathryn Mayorga, e cila pretendon se është përdhunuar nga portugezi nëntë vite më parë. Si provë të fortë ajo ka dokumentin që vërteton se Ronaldo ka paguar për heshtjen e saj vite më parë, një shumë mbi 300 mijë dollarë. Por avokati i Ronaldos, Peter Kristiansen, pretendon se kjo pagesë është bërë që lojtari të lihet i qetë dhe të mos kishte të bënte me gjyqet, në mënyrë që të mos dëmtohej imazhi i tij. Tani që situata është tensionuar së tepërmi, avokati i Ronaldos dhe mbështetësit e tij janë betuar t’i shkojnë kësaj çështjeje deri në fund dhe po mbledhin provat e mbrojtjes. Madje për herë të parë avokati përmendi dhe një konspiracion në internet, duke thënë se një haker ka ndërhyrë online në dokumente duke u ndryshuar përmbajtjen, gjë që ka dëmtuar imazhin e futbollistit. E thënë ndryshe, ka nisur mbrojtja e Kristiano Ronaldos kundër akuzave për përdhunim seksual ndaj Kathryn Mayorga. Avokati i portugezit, Peter Kristiansen, ka dhënë një deklaratë për shtyp, në të cilën u përgjigjet me vendosmëri lajmeve të javëve të fundit, ku, sipas tij, futbollisti i Juventusit është sulmuar padrejtësisht.

“Kjo fushatë denigrimi e qëllimshme është e bazuar në dokumente elektronike të cilat janë vjedhur dhe janë manipuluar”, u shpreh ai. “Nga viti 2015 e deri më sot, shumë studio ligjore në Evropë janë sulmuar nga një haker, i cili është munduar të shesë informacione të rëndësishme, që më pas u është ndryshuar përmbajtja nga persona të papërgjegjshëm”, shtoi avokati. Sipas po kësaj deklarate, pozicioni i Kristiano Ronaldos është i njëjtë e njëkohësisht e vetmja e vërtetë. Ngjarja, e cila ka ndodhur në vitin 2009, në Las Vegas, ka qenë një raport konsensual. Kristiansen ka sqaruar më tej se është e vërtetë që klienti i tij ka paguar Majorgan, duke ndjekur këshillën e avokatëve për t’u dhënë fund akuzave të bëra kundër tij, por kjo nuk do të thotë se ai ka pranuar që është fajtor. Gjithsesi, kjo situatë sa vjen e po bëhet më e rëndë, pasi po dëmton imazhin e Ronaldos. Tri femra të tjera, pretendojnë se i ka ndodhur e njëjta gjë në të kaluarën nga portugezi. Në fakt, akuza rikthehet pas shumë vitesh dhe kjo është në avantazhin e Ronaldos, por dokumentet e bankave ku ai ka kryer transaksionet në llogari të Majorgas mund ta fundosin portugezin. Bëhet fjalë për një akuzë që nëse vërtetohet e vë me shpatulla për muri sulmuesin portugez dhe kjo do të ishte katastrofike për lojtarin në këtë moment. Gjithsesi, Ronaldo është shfaqur i qetë gjatë këtyre ditëve në stërvitjen e Juventusit, teksa klubi italian i ka dalë në krahë, duke thënë se do të mbështesë futbollistin në qëndrimin e tij si i papërlyer në këtë histori.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here