Maqedoni, Prokuroria e Posaçme hetime të reja për zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë

0
414
Prokuroria e Posaçme e Maqedonise ka hapur gjashtë raste të reja kriminale ku janë të dyshuar ish-zyrtarë të lartë qeveritarë, zyrtarë aktualë dhe politikanë për shpërdorime të detyrës dhe parave të buxhetit të shtetit.
Prokuroria do të hetojë ish-Kryeministrin Nikolla Gruevski, ish-Ministrin e Transportit, Mile Janakievski, ish-Ministrin e Financave, Zoran Stavrevski, zëvendës-kryeministrin për çështje evropiane, Bujar Osmani, Zëvendës-Sekretarin e Përgjithshëm të Partisë VMRO-DPMNE, Igor Janushev, ish-Drejtorin e T-Mobile për Maqedoni, Zharko Lukovski dhe ish-Kryetarin e një komune të Shkupit, Stevçe Jakimovkin.
Të gjithë këta dhe njëzet persona të tjerë dyshohet të kenë shpërdorur 80 milionë euro nga buxheti i shtetit.
Në një prej rasteve dyshohen ish-ministrat Janakievski dhe Stavrevski për favorizimin e një kompanie ruse për një pronë për ndërtimin e gazsjellësit kundrejt borxhit rus, që asnjëherë nuk iu kthye Maqedonisë, bën të ditur PP-ja. Në këtë rast është dëmtuar buxheti i shtetit me rreth 33 milionë euro.
Ish-kryeministri Gruevski, së bashku me disa persona të tjerë, dyshohen në një tjetër rast të kenë paguar 30 milionë euro gjatë periudhës 2010 – 2015 disa radio – stacioneve dhe televizioneve të afërta me partinë dhe mbështetëse të politikave të VMRO-DPMNE.
Zv.Kryeministri aktual Bujar Osmani, dyshohet në rastin e koduar “Pacienti”, për favorizimin dhe ndarjen e mjeteve një kompanie nga Bullgaria, për riparimin e spitaleve në Tetovë, Ohër dhe në Çair të Shkupit, megjithëse e dinin se firma nuk i plotësonte kushtet, thekson Prokuroria Speciale. Zoti Osmani në atë periudhë ka qenë Ministër i Shëndetësisë.
Ndërkohë, ish drejtori i T-Mobile, Lukovski dyshohet për pagesën tre herë më të lartë (3.5 milion euro), kompanisë së ndërtimit Beton, për legalizimin e stacioneve të paligjshme të telekomunikimit.
Në një tjetër rast, (“Harmonia”) dyshohen Nikolla Gruevski, Mile Janakievski dhe Stevçe Jakimovski, për ndarjen e paligjshme të një parcele atraktive ndërtimi në Shkup, Universitetit Ndërkombëtar Ballkanik, duke dëmtuar buxhetin për rreth 400 mijë euro.
Në një reagim me shkrim të zotit Osmani, theksohet habia e tij, ndërsa shkruan se kishte dëgjuar edhe më parë spekulime në media. (VOA)

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here