Fundi i javës vendimtar për fatin e Xhezair Zaganjorit, Komisioneri Publik edhe 5 ditë kohë për të vendosur për ankimimin

0
548

Fundi i kësaj jave do të vendosë për fatin e kryetarit të Gjykatës së Lartë, Xhezair Zaganjori. Ai kaloi në sitën e vetingut në korrik dhe Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi ta rikonfirmonte në detyrë, pavarësisht problemeve të shumta me pasurinë. Por Komisioneri Publik duhet të vendosë deri në datën 12 tetor nëse këtë çështje do e lërë me kaq apo do i drejtohet Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të kërkuar shkarkimin e tij. Rasti i Zaganjorit ishte i veçantë sepse për afro dy muajsh, KPK mbajti “peng” zbardhjen e vendimit të plotë për kreun e Gjykatës së Lartë, duke penguar kështu edhe ankimimin nga ana e Komisionerit Publik. Por në datën 27 shtator vendimi i plotë për Zaganjorin u bë publik në faqen zyrtare të KPK, duke i hapur rrugë edhe KP për t’iu drejtuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit për të kërkuar shkarkimin e kryetarit të Gjykatës së Lartë.

Komisioneri Publik u vu në lëvizje nga Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit për rastin e Zaganjorit. Pak ditë pasi u rikonfirmua në detyrë, ONM e cilësoi si të padrejtë këtë vendim duke i këshilluar Komisionerit Publik ankimim. Pas zbardhjes së vendimit, pritet që Komisioneri Publik ta apelojë vendimin për Zaganjorin, duke qenë se indiciet u dhanë nga ndërkombëtarët dhe në vendimin e plotë të KPK vihej re sesi pranohej që kreu i Gjykatës së Lartë ka kryer shkelje dhe evazion fiskal, por është toleruar. Sipas informacioneve të gazetës, dosja e Xhezair Zaganjorit është në dorë të KP dhe po vëzhgohet me kujdes çdo detaj për të vendosur më pas fatin e tij. Sipas ligjit, Komisioneri Publik ka të drejtë të ankimojë deri në 15 ditë pas zbardhjes së vendimit. Kjo do të thotë se deri në fund të javës, Komisioneri Publik duhet të ketë marrë një vendim nëse dosjen e Zaganjorit do ta çojë në Apel apo jo. Kujtojmë që rast i ngjashëm me Xhezair Zaganjorin ishte edhe ai i kryetarit të Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja. Edhe Dedja u rikonfirmua në detyrë në mënyrë të dyshimtë, por ONM këshilloi Komisionerin Publik që të apelonte çështjen. Pas zbardhjes së vendimit, KP vendosi të ndiqte këshillën e vëzhguesve ndërkombëtarë dhe kërkoi nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit shkarkimin e Dedjes.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here