SHBA-BE paralajmërojnë përshpejtim të vetingut, pas KPK edhe ONM shton stafin, ekspertë të rinj për të zbuluar aferat e gjyqtarëve

0
468

Spastrimi i sistemit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar është një prioritet kyç për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit. Reforma në drejtësi u miratua me bekimin e SHBA-BE, ndërsa zbatimi i saj po monitorohet nga ekspertët ndërkombëtarë. Por me qëllim që objektivi i ndërkombëtarëve për një drejtësi të re të përmbushet sa më mirë, ONM ka vendosur të kërkojë shtimin e stafit. Deri para pak ditësh diskutohej për shtimin e stafit për Komisionin e Pavarur të Kualifikimit, Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe Komisionerët Publikë. Në mbledhjen e fundit të Parlamentit, të 3 organet e vetingut përfituan zgjerim stafi me 24 punonjës në total, ku 16 punonjës shkuan vetëm për KPK. Por pas organeve të vetingut, një lëvizje të tillë e ka bërë edhe vetë Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare në internet, ONM kërkon ekspertë të kualifikuar nga Shqipëria për pozicionet e zyrtarëve ligjorë afatgjatë dhe me orar të plotë. “Qëllimi specifik është rritja e cilësisë profesionale të gjyqtarëve dhe prokurorëve, zvogëlimi i ndikimit të krimit të organizuar, politikës dhe korrupsionit në dhënien e drejtësisë, si dhe rritja e integritetit dhe llogaridhënies së institucioneve gjyqësore”, thuhet në njoftimin e ONM. Mesa duket, ndërkombëtarët po angazhohen fuqishëm për të tronditur drejtësinë shqiptare. Zyrtarët dhe ekspertët ligjorë të cilët do të kenë mundësi të punojnë pranë ONM do të marrin pjesë në përgatitjet e informacioneve dhe në analizimin e raporteve të për vlerësimin e pasurisë, aftësisë dhe integritetit të figurës për gjyqtarët dhe prokurorët. Po ashtu, në lupën e ekspertëve shtesë ligjorë pranë ONM do të jenë edhe ankesat e qytetarëve për prokurorët dhe gjyqtarët, të cilat do të studiohen dhe analizohen me kujdes sepse mund të shërbejnë si indicie për të zbuluar “zullumet” në drejtësi.

Zbulimi i aferave

Me rritjen e stafit pritet që Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të thellojë akoma më shumë kërkimet për aferat e njerëzve të drejtësisë që do të kalojnë në sitën e vetingut. Kujtojmë që gjatë seancave dëgjimore të zhvilluara deri tani, roli i ONM ka qenë kyç pasi ka patur edhe momente kur përfaqësuesit ndërkombëtarë kanë ndërhyrë për të replikuar me subjektet e rivlerësimit për gjërat të cilat shiheshin me dyshime. Një rast që vlen të përmendet është ai i ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Admir Thanza, i cili rezultoi të ishte i dënuar në Itali për vjedhje. Por vepra penale e kryer prej tij ishte zbuluar nga ONM, pasi vetë gjyqtari nuk e kishte deklaruar. Raste të tilla pritet të ketë edhe më shumë tani me rritjen e stafit dhe shtimin e ekspertëve. Sakaq, ONM hera-herës deri tani ka shkuar edhe më tej duke kërkuar shkarkimin e disa gjyqtarëve a prokurorëve të cilët ishin rikonfirmuar në mënyrë të dyshimtë.

Mjafton të përmendim këtu rastin e Bashkim Dedjes dhe Xhezair Zaganjorit, për të cilët ONM i rekomandoi Komisionerit Publik që të kërkojë shkarkimin e tyre. Ekspertët e rinj pritet të shtojnë ritmet e punës dhe të kalojnë në skaner të imtësishëm çdo dosje të KPK për gjyqtarët e prokurorët për të mos lejuar qoftë edhe shkeljen më të vogël. Nga ana tjetër, pritet që me shtimin e stafit për ONM e për të gjitha organet e vetingut, seancat dëgjimore të jenë më të shpeshta, duke kaluar në sitë më shumë emra gjatë një jave e duke mundësuar kështu krijimin e organeve të reja të drejtësisë sa më parë. Siç duket SHBA-BE janë angazhuar shumë fort në largimin e emrave të korruptuar dhe krijimin e një drejtësie të re për Shqipërinë, me organe të reja./Mimoza IBRA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here