Qeveria plan për rritje pagash në 2019, administrata, mjekët, ushtarakët dhe arsimtarët kategoritë që përfitojnë

0
617

Qeveria po planifikon rritje pagash vitin e ardhshëm për disa kategori, ku mund të përmendim arsimtarët, mjekët dhe ushtarakët. Lajmi u konfirmua dje nga ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, gjatë një konference për shtyp me gazetarët. “Rritja e pagave që po planifikojmë në buxhetin e vitit tjetër, për arsimtarët, mjekët, ushtarakët; paketa e solidaritetit; bonusi i bebeve që nuk është bërë kurrë në ato nivele, për të promovuar rritjen demografike dhe patjetër ndihmë për familjen në ato momente kur i vjen një fëmijë në jetë; librat falas; taksa progresive; përfshirja në shërbim shëndetësor universal edhe të atyre që janë edhe të pasiguruar; rritja e pagave të administratës sërish. Të gjitha këto janë konseguenca të reformave”, deklaroi Ahmetaj.

Paketa fiskale

Gjatë diskutimit me gazetarët, ministri i Financave dhe Ekonomisë foli dhe për ecurinë e diskutimeve rreth paketës fiskale. Ai bëri me dije se nëpërmjet kësaj pakete do të preket ligji “Për tatimin mbi të ardhurat”, ku do të ketë rritje të kufirit të pagës që tatohet me 23 % nga 130 mijë në 150 mijë, pra do t`iu ulet taksa 15,400 të punësuarve. Po ashtu, do të ulet dividenti, ndërsa do të përfshihen dispozita antishmangie për fitimet jo-kapitale të jo-rezidentëve. Përsa i përket taksës nacionale, Ahmetaj pohoi se ka pasur një kërkesë nga industria për taksimin e ambalazheve plastike dhe tashmë kjo industri do të lehtësohet nga kjo taksë. Ndërkohë, duke qenë se qeveria synon zhvillimin e mëtejshëm të industrisë së përpunimit vendase, Ahmetaj vuri në dukje se është propozuar një rritje e rentës minerare për eksportin e kromit nga 6 në 9. Sa i përket akcizave, do të ketë disa rregullime. Tatimi mbi vlerën e shtuar ka disa ulje të konsiderueshme, një normë e reduktuar e TVSH-së për importin e autobusëve elektrikë.

Ecuria ekonomike

“Ekonomia shqiptare është një ekonomi normale, me problemet e veta strukturore, me problemet e veta financiare, por një ekonomi që rritet me 4 % dhe unë besoj që do të reflektojë shumë mirë dhe me tërheqjen e investimeve tëhuaja në Shqipëri”. Kështu e ka cilësuar zhvillimin e ekonomik aktual ministri i Financave dhe Ekonomisë, sipas të cilit, kthesa që ka bërë Shqipëria në 4 vite për shkak të reformave të qeverisë Rama tregon vetëm një gjë, vendosmëri politike për të bërë reforma të guximshme. Ahmetaj u shpreh optimist se këtë vit Shqipëria ka mundësi që të jetë vendi me rritjen më të lartë në rajon. “Rritja ekonomike në tremujorin e dytë është mbi nivelin e parashikimit vjetor. Siç e shikoni, po shkojmë drejt 4.2 % në fund të këtij viti. Gjithsesi, mbetet për t’u parë në vazhdimësi. Energjia ka qenë një nga kontribuesit, por kemi kontribut të konsoliduar të shërbimeve dhe të industrisë. Pra, po diversifikohemi në burimet e rritjes ekonomike dhe fatmirësisht e kemi lënë mbrapa kohën kur rritja nuk shoqërohej me punësim”, nënvizoi ministri, sipas të cilit, Shqipëria jo vetëm që e ka rritur pjesëmarrjen në forcat e punës, por ka ulur dhe papunësinë në nivele rekord historike 12.3 %. Papunësia nuk ka qenë asnjëherë më e ulët se kaq.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here