Aris barazon me Paok, Mavraj më i miri dhe fiton zemrat e tifozëve në Selanik

0
593

Në Superligën greke këtë edicion luajnë shumë futbollistë shqiptarë, midis të cilëve dhe disa lojtarë të skuadrës kombëtare, të tillë si Mavraj, Basha, Lila e madje dhe disa të rinj të talentuar që janë pjesë e skuadrave kombëtare të moshave. Në radhët e Arisit të Selanikut këtë sezon luajnë dy kuqezinj, pikërisht Migjen Basha dhe Mërgim Mavraj, të cilët janë prezantuar me pompozitet nga klubi grek. Vetë klubi pretendon se me këtë cilësi të afruar do të luftojë për titull dhe më e pakta një vend në kompeticionet europiane. Dhe me lojtarë të tillë cilësorë dhe me eksperiencë për Artisin gjërat janë të mundshme. Vëmendja sidomos dy ditët e fundit ka qenë tek mbrojtësi kuqezi Mërgim Mavraj, i cili luajti ndeshjen e tij të parë zyrtare me fanellën e Arisit. Dhe luajti pikërisht në ndeshjen derbi të Selanikut kundër Paokut, një ndeshje që doli barazim por që dhuroi emocione mjaft të forta. Në një ndeshje derbi motivimi vjen vetvetiu, por për Mavrajn që zbriste për herë të parë titullar i duhej të ishte njëkohësisht i kujdesshëm që të regjistronte një performancë të admirueshme dhe të siguronte vendin e titullarit. Eksperienca e tij, i mësuar me presionin dhe kualiteti në pasime, por edhe saktësia në rreshtimin taktik, e ndihmuan Mavrajn të përballojë kundërshtarët dhe të marrë vlerësime shumë të mira në mediat sportive greke.

Analiza e medias sportive greke

Mbrojtësi i Kombëtares Shqiptare, Mërgim Mavraj, ka debutuar të mërkurën me fanellën e Aris në derbin e ndezur kundër PAOK, i cili u mbyll me shifrat 1-1. Për futbollistin shqiptar, kjo ishte ndeshja e parë në klub që në muajin shkurt, kur zbriti në fushë për herë të fundit me fanellën e  Hamburgut, ndërsa gjatë kësaj periudhe kishte luajtur vetëm me fanellën e përfaqësueses shqiptare. Nuk ishte një ndeshje perfekte, por Mavraj ka marrë vlerësime pozitive për paraqitjen e tij. “Përshtypja e parë është pozitive. Cilësia e 32-vjeçarit nuk vihet në diskutim ndaj trajneri Pako Errera i besoi një fanellë në një ndeshje kaq të rëndësishme”, shkruan portali grek “Sportime”. “E dukshme ishte se Mavraj është mbrapa pjesës tjetër së skuadrës sa i përket anës fizike, gjë që është e kuptueshme sepse nuk ka bërë fazë përgatitore. Megjithatë, vendimet e tij gjatë ndeshjes ishin korrekte, nuk bëri veprime të panevojshme dhe i duhen dhënë merita se nuk ndërmori shumë iniciativën, meqë e di se nuk është ende gati. Por ai ishte vendimtar në bllokimin e Kareli dhe Prijoviç. Gjithsesi, ai tregoi se do të bëjë diferencën në qendër të mbrojtjes dhe mund të bëhet pika e referimit të lojës së Arisit në prapavijë”, shkruante portali i njohur grek për mbrojtësin shqiptar.

Kombëtarja dhe rindërtimi i qendrës së mbrojtjes

Performanca e mirë e Mavrajt që në ndeshjen e parë zyrtare me Arisin, mund ta ndihmojë qendërmbrojtësin kuqezi të marrë ftesë të menjëhershme nga trajneri Kristian Panuçi, i bindur këtë herë se ai jo vetëm e meriton, por mund të ndihmojë skuadrën për dy sfidat e ardhshme në Ligën e Kombeve kundër Izraelit dhe Skocisë. Ambiciet e Shqipërisë janë të sigurojë vendin e parë në grup dhe që t’ia dalë i duhet të ketë fillimisht një mbrojtje solide dhe të aftë jo vetëm të mbrojë por edhe të organizojë e ndihmojë repartet e tjera. Kthimi i Mavrajt është një sinjal mjaft pozitiv për përfaqësuesen në këtë moment, pasi skuadra po përjetonte një ngërç, për shkak të mungesës së stabilitetit në lojë dhe mungesës së kohezionit midis reparteve. Natyrisht, që Mavraj të kapë formën maksimale duhet ende punë, por fakti që Aris i besoi rolin e titullarit në një ndeshje derbi të rëndësishme,e tregon qartë se Mavraj ka vullnet, po punon dhe po rikthehet në ditët e tij të mira. Pas trishtimit që i prodhoi Hamburgu gjatë muajve të fundit, ky është një sinjal i mirë për mbrojtjen e skuadrës kombëtare. Sepse Mavraj është një nga pikat e forta dhe të qëndrueshme të këtij reparti. Çdo performancë e mirë e Mavrajt te Arisi i Selanikut, do të thotë ndryshe sinjale pozitive dhe për Kombëtaren në këtë moment kur duhet reflektim i thellë kuqezi.

Adriatik BALLA

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here