Macron refuzon Trump: Jo më akorde tregtare me SHBA

0
510

Dje në Asamblenë e Përgjithshme të OKB, presidenti francez Emmanuel Macron ka hedhur poshtë arritjet kombëtare të pretenduara nga parafolësi i tij Donald Trump, duke thënë se Franca nuk do të pajtohet me unilateralizmin dhe nuk do të bëjë marrëveshje tregtare me vende jashtë Akordit të Parisit për Klimën. Presidenti francez bëri thirrje në fjalimin e tij për ruajtjen e rregullave të tregtisë që “garantojnë konkurrencë të drejtë dhe hapa të njëllojtë për të gjithë” dhe sfidoi fjalët e Trump, duke sugjeruar se nuk do të negocionte marrëveshje tregtare me SHBA pas tërheqjes së saj nga marrëveshja e Parisit për klimën vitin e kaluar. “Ne nuk do të nënshkruajmë më marrëveshje tregtare me fuqi që nuk respektojnë akordin e Parisit”, tha Macron pa iu referuar drejtpërsëdrejti presidentit Trump apo SHBA. Fjalimi i profilit të lartë vjen një ditë pasi dy presidentët në fjalë u takuan për një diskutim ku përfshihej dhe tregtia, ndërsa përfaqësuesit e tyre e quajtën takimin “konstruktiv”.

Zgjidhje paqësore, jo unilaterale

Macron foli gjithashtu kundër politikave të presidentit amerikan “Amerika e Para” duke argumentuar se fuqitë ndërkombëtare duhet të kërkojnë zgjidhje paqësore për çështjet globale si lufta e Sirisë, programi bërthamor i Iranit dhe  konflikti Izrael-Palestinë. “Ashtu siç kam thënë një vit më parë, ne sot nuk duhet të përkeqësojmë tensione rajonale, por me anë të dialogut dhe multilateralizmit të ndjekim një axhendë të gjerë  për problemet e shkaktuara nga politikat iraniane”, tha Macron duke kritikuar tërheqjen e SHBA nga akordi ndërkombëtar bërthamor me Iranin, të cilin e quajti një sukses në parandalimin e rrugëtimit bërthamor, ushtarak të vendit. “Çfarë është zgjidhja e vërtetë për situatën në Iran dhe çfarë e kishte stabilizuar atë? Mos është gjë ligji i më të fortit? Presioni vetëm nga njëra anë? Jo! Ne e dimë se Irani ishte në rrugën bërthamore ushtarake, por Akordi i Vjenës në 2015 e ndaloi atë”, argumentoi Macron.

Shtypja e palestinezëve nuk zgjidh konfliktin

Më tej kritika e Macron ndaj politikës ndërkombëtare të administratës Trump kaloi në njollën tjetër të zezë të Lindjes së Mesme, duke thënë se ende nuk ka një alternativë të besueshme për zgjidhjen me dy shtete të konfliktit Izrael-Palestinë. “Çfarë mund ta zgjidhë krizën mes Izraelit dhe Palestinës? Atë nuk e zgjidhin iniciativat unilaterale dhe as nëpërkëmbja e të drejtave legjitime të palestinezëve për paqen legjitime. Nuk ka një alternativë të besueshme për zgjidhjen me dy shtete”, tha Macron, duke iu referuar komenteve të presidentit Donald Trump, i cili tha nga i njëjti podium se SHBA është e përkushtuar për paqen në Lindjen e Mesme “duke përfshirë dhe atë mes izraelitëve dhe palestinezëve”. Presidenti amerikan më herët tha se me politikat e tij e kishte avancuar dhe jo dëmtuar paqen në Palestinë, si dhe kishte shtuar: “Politika amerikane e realizimit parimor nuk do të mbahet peng nga disa të ashtuquajtur ekspertë, që janë provuar disa herë si të gabuar. SHBA nuk do të kthehet në Këshillin e të drejtave të njeriut deri sa aty të ndërmerren reforma të thella. Ne gjithashtu nuk do të mbështesim më Gjykatën Ndërkombëtare, e cila nuk ka autoritetet. SHBA nuk do të dorëzojë kurrë sovranitetin e saj. Ne e refuzojmë ideologjinë e globalizimit”.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here