Ministri Gjiknuri: Në të ardhmen do të bëhen me pagesë të gjitha rrugët

0
412

Në të ardhmen, të gjitha rrugët të cilat kanë standardet e një autostrade do të jenë me pagesë. Ky është qëndrimi që ka për këtë çështje ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri, një ditë pas aplikimit të tarifës për Rrugën e Kombit.

Kreu i Infrastrukturës sqaroi para deputetëve të Komisionit të Ekonomisë gjatë kohës po diskutohej shtesa e kredisë prej 16 milionë Euro të rrugës Tiranë – Elbasan se sot buxheti i shtetit nuk arrin dot të përmbushë nevojat për mirëmbajtjen e akseve kombëtare.
“Parimi për mua është: ai që përdor rrugën, ai duhet të paguajë për mirëmbajtjen. Në të ardhmen mendoj se të gjithë rrugët e Shqipërisë duhet të menaxhohen nga kompanitë private”.
Por jo të gjithë deputetët e mazhorancës ndajnë këtë pikëpamje. Anastas Angjeli tha se pavarësisht nevojës për financimin e mirëmbajtjes së rrugës, duhet parë edhe ana sociale dhe ekonomike për qytetarët.
“Në rregull që duhet të bëhen me pagesë, por jo të gjithë koston e rrugës ta mbajnë në kurriz qytetarët”.
Damian Gjiknuri i kërkoi deputetëve që marrëveshja e kredisë shtesë për rrugën Tiranë – Elbasan të hyjë në fuqi menjëherë në mënyrë që 9 kilometrat e fundit të saj të përfundojnë brenda këtij viti.
Ai tha se kostoja e rrugës është rritur me 44% më shumë se sa ishte planifikuar, e përkthyer kjo në vlerë monetare, segmenti prej 32 kilometrash ka kushtuar 138 milionë Dollarë më shumë. Deputetët socialistë i bënë thirrje Prokurorisë që të vazhdojë hetimet për nxjerrjen e përgjegjësve që zvarrtitën dhe rritën kostot e kësaj rruge.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj