Google search engine
Home Bota Bandat e drogës në Francë rekrutojnë fëmijë nga rrjetet sociale për vrasje,...

Bandat e drogës në Francë rekrutojnë fëmijë nga rrjetet sociale për vrasje, BBC zbulon botën e përgjakshme të krimit në Marsejë

0
23

Bandat kriminale të trafikut të drogës në Francë po përdorin rrjetet sociale për të joshur dhe rekrutuar adoleshentë, jo vetëm për shpërndarjen e lëndëve narkotike, por edhe për rrëmbime, tortura dhe vrasje me pagesë. Një hetim i BBC-së, i realizuar pas disa muajsh përpjekjesh për të depërtuar në këtë botë të rrezikshme, zbulon se si të rinjtë joshen me premtime për fitime të shpejta, makina luksoze dhe një jetë të shtrenjtë, por përfundojnë të bllokuar në një realitet brutal, nga i cili është shumë e vështirë të shpëtojnë.

Në qendër të këtij aktiviteti kriminal qëndron organizata DZ Mafia, e cila pas një lufte të përgjakshme për kontrollin e territoreve është shndërruar në një prej grupeve kriminale më të frikshme në Francë. Organizata ka zgjeruar ndikimin e saj përmes rrjeteve sociale, duke e përdorur famën kriminale si një markë për të tërhequr anëtarë të rinj.

Sipas autoriteteve franceze, gjatë vitit 2025 më shumë se 10 mijë të mitur u përfshinë në një formë ose në një tjetër në trafikun e drogës. Ndërkohë, zgjerimi i tregut të paligjshëm, veçanërisht i kokainës, ka rritur ndjeshëm fuqinë financiare të organizatave kriminale. Numri i përdoruesve të kokainës në Francë pritet të arrijë në dy milionë, nga rreth 600 mijë që ishte në vitin 2017.

Tortura dhe abuzimi ndaj adoleshentëve

 

Një prej rasteve që ilustron mënyrën se si funksionojnë këto banda është ai i dy adoleshentëve 15-vjeçarë, të cilët iu afruan një grupi kriminal në kërkim të një pune, edhe pse të paligjshme.

Njëri prej tyre merrej me paratë, ndërsa tjetri shpërndante drogë në zonën e Frais-Vallon, në Marsejë. Por shumë shpejt, drejtuesit e bandës i akuzuan për mungesë të ardhurash dhe nisën t’i dhunonin sistematikisht.

Sipas dëshmive të paraqitura në gjykatë, adoleshentët u rrahën vazhdimisht, u detyruan të zhvisheshin dhe të kërcenin para kamerave për t’u shantazhuar. Njëri prej tyre u përdhunua.

Në përpjekje për t’u arratisur, të dy u hodhën nga dritarja e katit të dytë. Njëri arriti të largohej, ndërsa tjetri u kap, u rrah dhe u godit me thikë, por mbijetoi. Gjashtë persona janë dënuar me burgime të rënda për torturimin dhe abuzimin ndaj tyre.

Hetimi i BBC-së sjell edhe historinë tragjike të Karine Brouillard, e cila humbi djalin e saj Hugo, pasi ai u përfshi në botën e krimit në Marsejë.

Hugo ishte larguar për herë të parë nga shtëpia në moshën 15-vjeçare, pas një konflikti me familjen. Policia e kishte gjetur tri ditë më vonë në Marsejë, rreth 1000 kilometra larg banesës së tij, me para dhe kanabis në zotërim.

Disa vite më vonë, në vitin 2023, ai i tha familjes se do të shkonte në jug të Francës për një punë sezonale në një restorant pranë Marsejës. Për disa javë komunikoi rregullisht me prindërit, duke u thënë se gjithçka po shkonte mirë.

Por vetëm tri javë më vonë, nëna mori një telefonatë nga një mjek, i cili i dha lajmin tragjik: “Djali juaj mbërriti mbrëmë. Kishte marrë një plumb në kokë”.

Policia dyshon se Hugo ishte përfshirë në aktivitetet e një prej bandave kriminale që veprojnë në zonën e njohur si Quartier Nord. Nëna e tij ende nuk e di me saktësi arsyen e vrasjes.

Rekrutimi përmes rrjeteve sociale, fitime që nisin që në moshën 13-vjeçare

Gazetarët e BBC-së kanë arritur të intervistojnë disa persona të përfshirë në aktivitetet e bandave, duke mbrojtur identitetin e tyre për arsye sigurie.

Një 20-vjeçar, i identifikuar me emrin Camil, i cili pretendon se është larguar nga DZ Mafia, tregon se organizata i josh të rinjtë duke u plotësuar dëshirat, nga makinat luksoze dhe apartamentet e mëdha deri te droga dhe prostitucioni.

Sipas tij, kjo krijon një ndjenjë besnikërie ndaj grupit, e cila mund të zgjasë deri në vdekje ose burg.

Një tjetër anëtar i bandës, i identifikuar me pseudonimin Adam, ndodhet në burg në pritje të gjykimit, pasi është implikuar në disa vrasje. Ai pranon se ishte pjesë e një skuadre ekzekutimi dhe tregon se gjakftohtësia e tij e ndihmoi të ngjitej në hierarkinë kriminale.

Ndërkohë, një tjetër trafikant, i identifikuar si Joe, rrëfen se në moshën 13-vjeçare fitonte rreth 3 mijë euro në muaj nga aktivitetet kriminale. Sot, në moshën 23-vjeçare, ai pretendon se të ardhurat e tij mujore variojnë nga 5 mijë deri në 10 mijë euro.

Sipas drejtuesit të njësisë franceze kundër trafikut të drogës, Dimitri Zoulas, tregtia e paligjshme e narkotikëve në Francë gjeneron rreth 7 miliardë euro në vit dhe përfshin afërsisht 200 mijë persona.

Policia thotë se që prej vitit 2024, rreth 1000 persona të lidhur me DZ Mafia janë arrestuar, ndërsa 600 prej tyre janë burgosur. Megjithatë, organizatat kriminale vijojnë të zgjerojnë aktivitetin, duke zëvendësuar anëtarët e arrestuar ose të vrarë me të rinj të rekrutuar në internet.

Shpalljet në rrjetet sociale ofrojnë punë si shoferë, korrierë dhe vrasës me pagesë, shpesh të shoqëruara me imazhe të krijuara nga inteligjenca artificiale, që e paraqesin jetën kriminale si një mundësi fitimi dhe luksi.

Autoritetet franceze paralajmërojnë se ky fenomen po përbën një kërcënim serioz për sigurinë kombëtare dhe funksionimin e sistemit të drejtësisë.

Ndërkohë, për familjet e viktimave, pasojat janë të pakthyeshme. “Ata shkatërrojnë familje. Motra të vogla, vëllezër të vegjël, gjyshër”, shprehet nëna e Hugo-s, duke iu drejtuar drejtuesve të bandave që përdorin fëmijët për aktivitetet e tyre kriminale.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here