Dje u luajtën dy takimet e fundit të javës së 10-të të Kategorisë Superiore, të cilat prodhuan jo vetëm rezultate surprizë, por patën edhe emocione e rivalitet. Ndeshja e parë e luajtur dje ishte ajo mes Vorës dhe Dinamos, e mbyllur në barazim 2-2. Në fakt, Dinamo po e fitonte ndeshjen dhe dukej se do të festonte një trepikësh me vlerë, por ndodhi që Vora ia prishi festën “nëndetëses” dhe trajnerit të saj Ilir Daja me golin e barazimit që shënoi në fund. Nga ana tjetër, dueli më i rëndësishëm dje ishte ai mes Teutës dhe Partizanit, luajtur në mbrëmje
. Durrsakët po kalonin një moment të keq pas humbjes ndaj Egnatias kryesuese dhe dje e konfirmuan që po kalojnë një krizë besimi në radhët e brendshme. Teuta humbi përballë të kuqve 0-1. Kjo e fundit ishte një ndeshje e fortë, e rivalizuar por e tensionuar. Këtë e dëshmon numri i madh i kartonëve të verdhë, plot 8 të tillë si dhe kartoni i kuq për Përgjonin në minutën e 84-t.
Vendimtar për fitoren e të kuqve në Durrës ishte goli i Atanaskoskit në minutën e 59-të. Ai realizoi një gjuajtje nga distanca, mjaft saktë, duke mposhtur portierin Benardoni. Natyrisht, për trajnerin Tetova kjo ishte një humbje e papritur dhe që e mban 4 pikë larg Egnatias kryesuese. Ndërsa Partizani gjeti fitoren e parë pas shumë javësh, duke shkuar në 7 pikë, por sërish në vend të fundit. Për trajnerin e “demave”, Karoglan, ishte fitorja e parë në krye të Partizanit.
Vora i prish festën Dinamos, e barazon në fund
Nuk ka fitues në sfidën e javës së 10 të Kategorisë Superiore mes Vorës dhe Dinamos. Të 90 minutat e kësaj ndeshjeje u mbyllën me barazimin 2-2 me të dyja skuadrat që ndanë nga një pikë secila. Vora e nisi në mënyrë perfekte ndeshjen teksa zhbllokoi rezultatin që në minutën e 13 teksa shënoi me Gjylën për të marrë avantazhin 1-0. Reagimi i Dinamos ishte i menjëhershëm me skuadrën e Ilir Dajës që vetëm 8 minuta më vonë barazoi shifrat në 1-1 me një supergol të Malomos që shënoi me një gjuajtje të fortë nga distanca.
Dinamo bëri edhe disa tentativa të tjera, por pjesa e parë u mbyll me barazimin 1-1. Në pjesën e dytë u pa një ritëm më i ulët, por në minutën e 75 Dinamo përmbysi rezultatin me golin e Farrukut duke marrë kryesimin në rezultat në 2-1. U duk se Dinamo po merrte 3 pikët e kësaj ndeshjeje, por Vora befasoi të besuarit e Ilir Dajës në minutat shtesë duke barazuar shifrat në 2-2 me golin e Dakas dhe ky ishte edhe rezultati përfundimtar i sfidës me Dinamon që shkon në 17 pikë duke ruajtur vendin e tretë, ndërsa Vora shkon në 12 pikë dhe i bashkangjitet Tiranës.
Flamurtari thyen 2-0 Kukësin, ëndërron të rikthehet në Superiore
Flamurtari mundi 2-0 Kukësin, duke u rikthyer mes skuadrave që pretendojnë ngjitjen direkte në elitën e futbollit shqiptar. Përballja mes dy ekipeve ishte e luftuar, me raste nga të dyja skuadrat, pavarësisht kushteve të vështira të fushës për shkak të reshjeve të shiut. Kur dukej se takimi po shkonte drejt një barazimi, vlonjatët arritën të zhbllokonin rezultatin në minutën e 79-të me anë të Keneth.
Goli i parë nuk ishte i vetmi moment vendimtar për Flamurtarin, pasi në minutën e parë shtesë Migone realizoi një gol spektakolar nga mesi i fushës, duke vulosur fitoren 2-0.
Superiore, Java 10
Të dielën
Tirana-Egnatia 1-1
Elbasani-Laçi 2-1
Skënderbeu-Vllaznia 1-1
Të hënën
Vora-Dinamo 2-2
Teuta-Partizani 0-1
Renditja
Nr.Skuadra Pikë
1.Egnatia 24
2.Teuta 20
3.Dinamo 17
4.Elbasani 14
5.Tirana 12
6. Vora 2
7.Laçi 11
8.Skënderbeu 11
9.Vllaznia 9
10.Partizani 7







































