Kombëtarja do të luajë këtë muaj dy ndeshje vendimtare në grupin e parë të Ligës C të Kombeve. Përplaset me Finlandën dhe Bjellorusinë, me objektiv për të mbajtur vendin e parë në grup. Ndërkohë, Thomas Strakosha nuk pritet të jetë i gatshëm për Kombëtaren as në nëntor. Këto janë raportimet e fundit nga Greqia ku tregojnë se dëmtimi rezultoi më i rëndë nga sa u mendua në shtator. Shqipëria humbet kështu një titullar të padiskutueshëm, teksa tek AEK e llogarisin jashtë edhe për të paktën dy javë.
Porta e Kombëtares ndërkohë u kthye në problem gjatë ndeshjeve të Ligës së Kombeve, konkretisht përballë Finlandës në transfertë. Etrit Berisha po kalon një formë të shkëlqyer. Në kampionatin suedez regjistron plot shtatë ndeshje radhazi pa pësuar gol. Kujtojmë se më 12 nëntor do të jetë Shqipëria që pret Finlandën. Më pas më 15 nëntor është rezervuar takimi ndaj Bjellorusisë në transfertë. Duhet thënë se trajneri Maran këto kohë ka lëvizur si brenda vendit dhe jashtë tij, për të parë ecurinë e kuqezinjve.
Pak ditë më parë ai ishte në Zvicër, për të ndjekur një ndeshje ku luanin kuqezinjtë.Kështu, trajneri i Kombëtares Rolando Maran, dhe presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, kanë qenë të pranishëm në stadium për të ndjekur nga afër ndeshjen mes Grasshoper Zurih dhe Vaduz.
Vëmendja e kësaj sfide ishte edhe te futbollisti shqiptar Amir Abrashi, i cili festoi një moment të veçantë në karrierën e tij, duke regjistruar paraqitjen e 300-të me fanellën e skuadrës zvicerane të Grasshoper Zurih. Një arritje domethënëse për mesfushorin kuqezi, i cili ndër vite është kthyer në një nga figurat e rëndësishme të klubit dhe një emër të respektuar nga tifozët e tij. Në këtë takim ishte i aktivizuar edhe futbollisti tjetër shqiptar, Dalipi.






































