Google search engine
Home Ekonomi SHBA “trondit” pronarin e “ONE Albania”, Banka e qeverisë amerikane anulon nënshkrimin...

SHBA “trondit” pronarin e “ONE Albania”, Banka e qeverisë amerikane anulon nënshkrimin e marrëveshjes në minutën e fundit

0
23

Qeveria amerikane ka vendosur të tërhiqet, të paktën përkohësisht, nga nënshkrimi i një marrëveshje financimi me grupin hungarez 4iG. Marrëveshja midis 4iG dhe Korporatës Financiare Ndërkombëtare të Zhvillimit (DFC) të SHBA-së do të nënshkruhej në Budapest të martën në mëngjes, por në minutën e fundit u lajmërua anulimi i saj. Ceremonia e nënshkrimit do të mbahej në selinë e 4iG, por pak para fillimit të evenimentit, të ftuarit morën një mesazh nga drejtori ekzekutiv Gellért Jászai, që informonte për anulimin e programit. Sipas mesazhit, marrëveshja pritet të nënshkruhet në fund të shtatorit. Sipas HVG, delegacioni amerikan është larguar tashmë nga Hungaria.

Gellért Jászai zhvilloi bisedime me partnerët strategjikë amerikanë të kompanisë dhe zyrtarët qeveritarë në Uashington në fillim të gushtit. Diskutimet u përqendruan në zgjerimin e bashkëpunimeve të 4iG në sektorët e hapësirës, mbrojtjes, energjisë dhe zhvillimit të infrastrukturës dixhitale, si dhe në mundësitë rajonale të investimeve të kompanisë. Një pikë kulmore e vizitës ishte një takim me drejtuesit e DFC-së: Gellért Jászai u takua me Conor Coleman, drejtorin kryesor të investimeve të organizatës, dhe Christopher P. Vincze, një anëtar i bordit të drejtorëve të DFC-së. Megjithatë, nënshkrimi tani është shtyrë, pak pasi qeveria hungareze njoftoi se do të niste një shqyrtim të plotë të marrëdhënies midis 4iG dhe shtetit hungarez, me autoritetet që do të shqyrtonin të gjitha kontratat e lidhura me shtetin.

Kujtojmë se autoritetet hungareze njoftuan nisjen e një hetimi të gjerë të marrëdhënieve mes shtetit dhe grupit 4iG, e cila kontrollon edhe operatorin “One Albania” në Shqipëri. Njoftimi e çon në një fazë zyrtare debatin që prej kohësh zhvillohet në Hungari mbi kontratat publike dhe raportet e 4iG me shtetin. Sipas njoftimit të ministrit hungarez të Shkencës dhe Teknologjisë, Zoltán Tanács, kontrolli do të përfshijë marrëdhëniet pronësore, financiare, ekonomike dhe kontraktuale mes shtetit hungarez, 4iG Nyrt. dhe kompanive që kontrollohen drejtpërdrejt apo tërthorazi nga grupi.

Ministri argumentoi se 4iG është shndërruar gjatë viteve të fundit në një nga partnerët më të rëndësishëm strategjikë dhe teknologjikë të shtetit hungarez dhe se, për këtë arsye, ekziston interes publik për të verifikuar kontratat e lidhura, kostot e tyre për taksapaguesit dhe atë që shteti ka përfituar në këmbim. Tanács do të ketë përgjegjësi kryesisht për shqyrtimin e kontratave në sektorët e hapësirës dhe teknologjisë së informacionit. Sipas vendimit qeveritar të cituar në njoftim, në proces përfshihen edhe ministrat përgjegjës për ekonominë dhe energjinë, mbrojtjen dhe financat. Rezultatet pritet të bëhen publike vetëm pasi kontrollet të kenë përfunduar.

Zhvillimi është me interes edhe për tregun shqiptar të telekomunikacionit. 4iG është pronari i “One Albania”, ndërsa sipas të dhënave financiare të vitit 2024, operatori shqiptar rezulton të ketë mbi 96 milionë euro hua nga kompania mëmë hungareze. Kjo do të thotë se çdo tronditje financiare, politike apo hetimore ndaj 4iG në Budapest mund të krijojë efekte zinxhir edhe në Shqipëri, duke prekur jo vetëm “One Albania”, por potencialisht të gjithë tregun strategjik të telekomunikacionit.

Sipas mediave vendase, ngrihen pikëpyetje të forta mbi mënyrën se si 4iG ndërtoi perandorinë e saj gjatë viteve të Orbanit, përmes blerjeve agresive të Vodafone Hungary, Digi, Antenna Hungaria dhe kompanive të tjera strategjike. Sipas tyre, grupi është sot një “rrjet kompleks kompanish” me lidhje të forta politike, ku përfshihen figura pranë kabinetit të Orbanit dhe institucione shtetërore hungareze.

Vetëm pak muaj më parë, aksioneri kryesor i 4iG, biznesmeni Gellért Jászai, zhvilloi vizita në Tiranë dhe Podgoricë për të zgjeruar investimet në rajon. Në Tiranë ai u takua me kryeministrin Edi Rama, ndërsa kompania njoftoi se fokusi i bisedimeve ishte zgjerimi i “One Albania”, investimet në qendra të të dhënave dhe projekti strategjik “2EAGLE”, kablli nëndetar që synon të lidhë Egjiptin me Shqipërinë dhe më pas me Europën.

Por ndërsa 4iG po zgjerohet në Ballkan, në Hungari po shtohen dyshimet se kompania po përpiqet të zhvendosë asetet dhe influencën jashtë vendit, përpara se qeveria e re të nisë ndërhyrjet. “Telex” shkruan se vetë struktura e re e 4iG po organozohet në mënyrë që asetet të ndahen në disa holdingje, çka mund të lehtësojë shitjen apo shkëputjen e segmenteve të caktuara.

Një nga segmentet më të rëndësishme mbetet telekomunikacioni, ku përfshihen “One Hungary”, “One Albania”, “One Montenegro” dhe projektet e reja në Maqedoninë e Veriut. Kjo ka ngritur pikëpyetje edhe për fatin afatgjatë të “One Albania”, në rast se 4iG përballet me probleme financiare, hetime apo ndërhyrje të forta politike në Hungari.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here