Në kuadër të presioneve ndaj Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për të shpëtuar nga qelia ish-zv/kryeministren Belinda Ballukun dhe bandën e saj që po hetohen nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion dhe pastrim parash, mazhoranca socialiste miratoi më 23 korrik një rezolutë ku një prej udhëzimeve kryesore lidhet me kufizimin e përdorimit të masës së paraburgimit. Dokumenti, i cili mban firmën e kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, i është përcjellë zyrtarisht SPAK-ut dhe i vendos kusht këtij institucioni që të hartojë deri më 23 gusht një plan veprimi për zbatimin e 32 rekomandimeve të përcaktuara për vitin 2026.
Përmes kësaj rezolute, SPAK-ut i kërkohet të rishikojë mënyrën se si i aplikon masat e sigurimit personal dhe të rritë përdorimin e alternativave ndaj paraburgimit, me pretendimin se kjo duhet të bëhet në përputhje me standardet europiane për të drejtat e njeriut. Dokumenti udhëzon që gjatë vitit 2026 të bëhet një vlerësim çdo katër muaj për të analizuar kohëzgjatjen e paraburgimit në raport me dënimet përfundimtare. Synimi i deklaruar është identifikimi i rasteve kur koha e kaluar në paraburgim i afrohet dënimit përfundimtar ose e mbulon atë në mënyrë të konsiderueshme, si dhe marrja e masave për të parandaluar këtë praktikë.
Gjithashtu, kryetari i Komisionit për Nismat Qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen Institucionale, z. Fatmir Xhafaj, duke shfrytëzuar mekanizmat e Kuvendit, e konsideron të domosdoshme uljen e numrit të dosjeve të mbartura dhe rritjen e cilësisë së çështjeve që dërgohen për gjykim, me fokus të veçantë te plotësimi i standardeve të provueshmërisë.
Nga ana tjetër, një pjesë e konsiderueshme e rekomandimeve i kushtohet hetimeve financiare dhe pasurore që duhet të zhvillohen paralelisht me hetimin penal. SPAK-ut i kërkohet të rritë vëmendjen te konfiskimi i pasurive në dosjet e korrupsionit, veçanërisht kur bëhet fjalë për nivelet e larta të administratës publike. Kuvendi i kërkon prokurorisë që ndjekja penale të shkojë përtej përcaktimit të përgjegjësisë individuale, duke goditur drejtpërdrejt përfitimet ekonomike të paligjshme.
Më tej, dokumenti dikton që gjatë vitit 2026 të realizohen analiza periodike mbi efektivitetin e ndjekjes penale në ato çështje ku janë të përfshirë zyrtarë dhe ish-zyrtarë të lartë. Në këto vlerësime kërkohet të përfshihen të dhëna mbi numrin e procedimeve, personat e dërguar për gjykim, si dhe shkalla e konfiskimit të pasurive. Po ashtu, rekomandohet konsolidimi i mëtejshëm i rezultateve në hetimin dhe ndjekjen penale të korrupsionit e krimit të organizuar, me qëllim që të shtohet numri i procedimeve që përfundojnë me vendime gjyqësore të formës së prerë.
Fokusi i veçantë, sipas rezolutës, duhet të mbetet te korrupsioni i nivelit të lartë, pastrimi i parave, trafikimi i narkotikëve dhe veprat penale të kryera nga grupet e strukturuara kriminale. Mes porosive të tjera të vendosura në këtë dokument është edhe përshpejtimi i rekrutimit të hetuesve financiarë, të punonjësve të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) dhe të oficerëve të policisë gjyqësore.
Kuvendi kërkon gjithashtu ndarjen e ekuilibruar të ngarkesës së punës, zgjerimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe vijimin e zhvillimit të Sistemit Elektronik të Menaxhimit të Çështjeve, me qëllim rritjen e transparencës përmes raportimit statistikor në kohë reale.
Së fundmi, një tjetër rekomandim lidhet me procesin e emërimit të Drejtorit të Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH). Kuvendi i kërkon SPAK-ut të analizojë, në përputhje me rekomandimin e BE-së, nevojën për rishikimin e rregullave dhe procedurave përkatëse, për të garantuar një proces të hapur, konkurrues dhe pa vonesa.






































