Policia e Shtetit ka zbardhur ngjarjen e ndodhur në orët e para të mëngjesit në Sarandë, ku u dhunua shefi i Hetimit të Krimit në Komisariatin e Policisë Sarandë, nënkomisari Mateo Bakalli. Për ngjarjen janë arrestuar gjashtë persona, mes tyre administratori i lokalit ku ndodhi konflikti, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.
Sipas Policisë, rreth orës 03:20, në ambientet e jashtme të një lokali në rrugën “Butrinti”, rojet e sigurisë së lokalit ishin konfliktuar me disa persona, pa njoftuar shërbimet e Policisë. Në atë moment, Bakalli, i cili po kalonte rastësisht me automjetin e tij, ka ndaluar, është prezantuar si punonjës policie dhe ka ndërhyrë për të parandaluar përshkallëzimin e konfliktit.
Policia bën me dije se rojet e sigurisë nuk kanë ndërprerë konfliktin, por kanë goditur me grushte edhe shefin e Hetimit, i cili ka kaluar në vetëmbrojtje dhe ka arritur të njoftojë kolegët për ndihmë. Pas rreth një minute në vendngjarje kanë mbërritur Forca e Posaçme “Shqiponja” dhe Forcat Kombëtare të Sigurisë, të cilat kanë neutralizuar situatën dhe kanë shoqëruar personat e përfshirë.
Më pas, gjatë kontrolleve, policia lokalizoi në një banesë në fshatin Gjashtë pjesën tjetër të rojeve të sigurisë së lokalit. Në pranga u vunë administratori i lokalit M. K., 35 vjeç, si edhe E. N., 38 vjeç, F. H., 35 vjeç, I. Ç., 34 vjeç, A. K., 31 vjeç, ushtarak në Zall-Herr dhe roje sigurie në lokal, si dhe B. S., 29 vjeç, taksist. Ndërsa roje sigurie P. D., 28 vjeç, u shpall në kërkim.
Lidhur me ngjarjen, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Skender Hita, pezulloi menjëherë nga detyra dy efektivë të Policisë, një punonjës të Repartit “RESI” dhe një efektiv të RENEA-s, pasi sipas Policisë rezultonin të dypunësuar pa leje si roje sigurie në lokalin ku ndodhi konflikti. Sipas njoftimit zyrtar, ata nuk njoftuan Policinë për konfliktin dhe nuk ndërhynë për të parandaluar përshkallëzimin e tij, ndërsa Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetim disiplinor ndaj tyre.
Bakalli u paraqit në spital me hematoma në sy dhe dëmtime të tjera, mori ndihmën mjekësore dhe më pas u largua. Në dëshminë e tij ai ka deklaruar se pa dy persona që po konfliktoheshin në rrugën “Butrinti” dhe se u godit me grusht nga njëri prej tyre teksa ndërhyri për t’i ndarë. Hetimet vijojnë nën drejtimin e Prokurorisë së Sarandës.











































