Shkon në dy numri i viktimave nga atentati i rëndë i ndodhur paraditen e së hënës në qytetin e Fierit. Jakup Hasani, i cili mbeti i plagosur rëndë gjatë atentatit ku u ekzekutua xhaxhai i tij, Selami Hasani, ka humbur jetën në spital.
47-vjeçari iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale në Spitalin Rajonal të Fierit, pasi mori 3 plumba në trup, prej të cilëve 2 në bark e 1 në nofull. Pas operacionit, ai u dërgua në repartin e reanimacionit, ku ndodhej nën kujdesin e vazhdueshëm të mjekëve.
Ngjarja e rëndë ndodhi në lagjen “1 Maji” të Fierit, në oborrin e banesës së Selami Hasanit, i njohur edhe si “Sel Çami”, ku persona të armatosur hapën zjarr në drejtim të tij dhe nipit të tij në oborrin e banesës, e cila ishte një vilë me mure të larta dhe kamera sigurie.
Autorët dyshohet të jenë larguar në drejtim të Vlorës, pasi një ‘Volvo” e vjedhur u gjet në flakë tek rrethrrotullimi i Pojanit, në autostradën Fier–Vlorë. Brenda saj ishin edhe 2 armë, njëra prej tyre me silenciator. Në kamerat e sigurisë dallohen dy persona, të maskuar me kapuça të zinj në kokë dhe rroba të zeza, pranë banesës së Selami Hasanit.
60-vjeçari që njihet edhe si “Seli i Malit”, ishte me precedentë të mëparshëm kriminal dhe prej 3 dekadash në hasmëri me Arben Isufajn, i njohur si “Ben Qimja”, të cilit i kishte vrarë nipin në vitin 2002, Julian Isufaj. Në këtë ngjarje mbeti i vrarë edhe një kambist si dhe u plagos një kalimtar. Hasani u dënua me 25 vite burg, nga i cili kishte dalë në vitin 2022.
Pikërisht hakmarrja është edhe njëra prej pistave që po hetohet. Djali i Isufajt dhe dy të tjerë janë shoqëruar në polici. “Ben Qimja” ndodhet në kërkim pasi i është caktuar masa e arrestit në burg për kanosjen e gjyqtarit Vladimir Cjapi dhe armëmbajtje pa leje.











































