Detaje të publikuara nga The New York Times, Washtington Post dhe të tjera media amerikane tregojnë se si zyrtarët e lartë të mbrojtjes dhe Shërbimit Sekret Amerikan organizuan një operacion të ndërlikuar për të nxjerrë Presidentin Donald Trump nga Turqia gjatë samitit të NATO-s në korrik, pas një kërcënimi real për jetën e tij nga inteligjenca iraniane.
Për të kamufluar lëvizjen, Trump hipi publikisht para kamerave në avionin e vjetër presidencial Air Force One. Sidoqoftë, menjëherë pas kësaj, ai u zbrit në mënyrë të fshehtë përmes një kontejneri furnizimi ushqimi kamion frigoriferik nga ana tjetër e avionit dhe u dërgua në një avion ushtarak të tretë të tipit C-32A Boeing 75.
Gazetarët e pranishëm dhe pjesa më e madhe e stafit të Shtëpisë së Bardhë që fluturuan me avionin e vjetër shërbyen pa dijeni si pjesë e kamuflazhit ndërkohë që u udhëzuan të mbanin të mbyllura grilat e dritareve gjatë gjithë udhëtimit.
Avioni ushtarak sekret e dërgoi Trump-in në bazën ajrore Mildenhall në Britaninë e Madhe. Pasi mbërriti atje, presidenti u fut sërish në mënyrë sekrete brenda avionit të vjetër Air Force One përpara se gazetarët të zbrisnin, duke krijuar përshtypjen se kishte udhëtuar me ta. Më pas, ai doli publikisht përballë medias dhe u zhvendos në avionin luksoz të dhuruar nga Katari për të fluturuar drejt Uashingtonit.
Sipas burimeve zyrtare për mediat amerikane, plani u hartua brenda pak orësh me pjesëmarrjen e drejtpërdrejtë të Shefit të Shtabit të Përgjithshëm, Gjeneralit Dan Caine, dhe Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Steven Cheung, e mbrojti përdorimin e dezinformimit mediatik duke theksuar se administrata shfrytëzon çdo mjet në dispozicion përfshirë shpërqendrimin e armikut për të garantuar sigurinë e presidentit ndaj kërcënimeve të vazhdueshme të regjimit iranian.







































