Kryeministri Edi Rama vazhdon me strategjinë e bashkëqeverisjes me Partinë Demokratike dhe Partinë e Lirisë, sidomos në krye të mandatit të katërt të qeverisjes. Pas zhbërjes së LSI-së, Edi Rama piketoi qindra simpatizantë të PD dhe dhjetëra figura lokale dhe qendrore të kësaj partie, duke hyrë në negociata, me qëllim për t’u larguar nga ajo që Rama e konsideron si ‘kënetë’ dhe për t’iu bashkuar Rilindjes, për të kontribuar në qeverisjen e vendit.
Disa përfaqësues të PD kanë pranuar ofertat e Ramës për bashkëqeverisjen, ndërsa shumë të tjerë janë vetëofruar për të kontribuar në qeverisje, por jo për të gjithë është finalizuar marrëveshja. Nga ana e saj, kupola e PD-së i ka konsideruar si tradhtarë dhe të shitur eksponentët e PD-së që iu bashkuan qeverisjes Rama.
Ndërkaq, Edi Rama ka arritur të rekrutojë plotësisht biznesmenët pranë PD dhe familjes Berisha, përmes tenderave, koncensioneve dhe lejeve për kulla. Ndërkaq, disa deputetë aktualë të PD marrin tendera dhe koncensione me vlerë miliona euro nga pushteti, përmes bashkëshortëve, krushqive, vëllezërve etj. Ish deputetë dhe ish ministra të PD mbajnë dhe po marrin koncensione, ndërsa familjarët i kanë të punësuar në poste kyçe publike.
Figurat e PD që iu bashkuan qeverisjes Rama
- Ridvan Bode, ish deputet dhe ish ministër i PD, u emërua nga PS anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë
- Majlinda Bregu, ish deputete dhe ish ministre e PD-së, u emërua nga Rama në krye të Këshillit Kombëtar të Integrimit Evropian
- Ilir Rusmali, ish ministër i Drejtësisë dhe ish deputet i PD, PS e emëroi anëtar KAS, ndërsa Rama ka shprehur vlerësimet më të larta për formimin e tij si jurist dhe si këshilltar i Preidentit Begaj.
- Leonard Demi, ish deputeti i PD-së. Edi Rama e emëroi ambasador të Shqipërisë në NATO.
- Dashnor Dula, ish deputet i PD-së. U emërua dhe u prezantua nga Edi Rama si kryeinspektor i përgjithshëm.
- Jola Hysaj, sh-sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun në PD, është emëruar si Drejtuesja e re e Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
- Ferdinand Xhaferri, ish deputet dhe ish ministër i PD-së, emërohet këshilltar i Presidentit Bajram Begaj.
- Besart Kadia, anëtar i Këshillit Kombëtar të PD-së, u emërua nga Rama zv/ministër i Ekonomisë dhe Financave dhe më pas ambasador në Azerbajxhan
- Sara Bodo, nënkryetare e FRPD, emërohet drejtuese e Agjencisë Kombëtare të Rinisë
- Enkelejda Rica, kryetarja e Forumit Rinor të PD në degën e Kurbinit dhe kandidate për deputete, punësohet në Bashkinë e Kurbinit si specialiste
- Mhill Fufi, ish deputet i PD, u emërua drejtori i Transportit Rrugor në Qarkun e Lezhës
- Benet Beci, ish kandidat për deputet i PD-së dhe drejtor i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, u propozua nga Rama për kryebashkiak të Shkodrës
- Megi Balliu, anëtare e Kryesisë së PD, emërohet specialiste pranë Agjencisë Kombëtare të Rinisë
- Zheni Gjergji, ish deputete e PD, u emërua drejtoreshë e Spitalit Rajonal “Dr. Xhaferr Kongoli’ në Elbasan.
- Manjola Nikollo, kryetare e PD në Sarandë, nënkryetare e Bashkisë Sarandë
- Genc Deromemaj, kryetar i Partisë Demokratike Vlorë, u emërua drejtor i Kadastrës në Vlorë.
- Blendi Sulaj, nënkryetar i PR dhe më pas i besuar i Bashës, emërohet nënkryetar i Bashkisë së Tiranës.
- Visho Ajazi Lika, ish drejtor i SHISH i emëruar nga Berisha. Rama e emëroi ambasador në NATO.
Figurat nga ish-LSI
Gjithashtu, ndër vite disa figura të rëndësishme të ish-Lëvizjes Socialiste për Integrim sot Partia e Lirisë janë larguar nga kjo forcë politike në drejtim të Partisë Socialiste. Për më tepër ndjekim materialin e përgatitur. Silva Caka është figura e fundit e cila u largua nga Partia e Lirisë, por ajo nuk është e vetmja. Ndër vite, anëtarët e ish LSI-së tanimë Partisë së Lirisë janë larguar nga kjo parti dhe i janë bashkuar Partisë Socialiste.
Lëvizjet kanë nisur fillimisht me Spartak Brahon, Lefter Kokën, Nasip Naçon, Agron Çelën të cilët iu bashkuan listave për deputetë të Partisë Socialiste në kohën kur u bën pjesë e selisë rozë. Në legjislaturën e kaluar, Nasip Naço ishte kryetar i komisionit të sigurisë kombëtare. Po ashtu edhe kryetari aktual i bashkisë së Himarës, Vangjel Tavo ka ardhur nga radhët e Partisë së Lirisë.
Në vitin 2018 deri në vitin 2019, LSI u përfshi nga një fenomen masiv dhe i gjithanshëm rrjedhjesh. Qindra anëtarë dhe përfaqësues vendorë braktisën Lëvizjen Socialiste për Integrim, duke u bashkuar me Partinë Socialiste. Rrjedhjet në LSI nisën pas afrimit të Lëvizjes Socialiste për Integrim me Partinë Demokratike. Përpara fushatës për zgjedhjet e 11 majit, Endrit Braimllari iu bashkua PS, duke u përfshirë në listat e Tiranës. Ai nuk mundi të siguronte mandatin e deputetit, por u emërua nënkryetar i Këshillit Bashkiak të Tiranës. Nga Partia e Lirisë janë larguar edhe Gledion Rahovica dhe Klevi Pojana.







































