UEFA kërcënoi javën e shkuar se do të bojkotonte Kupën e Botës për meshkuj dhe femra nëse presidenti i FIFA-s, Xhani Infantino, do të vazhdonte me planin për shitjen e aksioneve të pakicës në turnetë e Kupës së Botës përmes një skeme investimi privat. Propozimi i Infantinos synonte të siguronte mbi 20 miliardë dollarë investime private përmes një kompanie të re të quajtur FIFA Forëard Enterprise. Kompania amerikane Thrive Capital pritej të udhëhiqte grupin e investitorëve. Ajo është në pronësi të Joshua Kushner, vëllait të Jared Kushner, dhëndrit të ish-presidentit amerikan Donald Trump, gjë që shkaktoi edhe më shumë polemika rreth projektit.
Pas kundërshtimeve masive nga bota e futbollit dhe refuzimit të konfederatave kontinentale për ta mbështetur planin, FIFA njoftoi të shtunën se projekti ishte anuluar. Si pasojë, e ardhmja e Infantinos në krye të FIFA-s duket më e pasigurt se kurrë. Këshilltari i tij i lartë, Karlos Kordeiro, dha dorëheqjen të premten, duke e cilësuar planin si “një marrëveshje të keqe për futbollin” dhe duke pretenduar se nuk ishte konsultuar. Edhe drejtori operativ i FIFA-s, Kevin Lamour, deklaroi se ishte ndier “i mashtruar” nga Infantino. Presidenti zviceran synon të kandidojë për një mandat të katërt në vitin 2027 dhe, sipas raportimeve të mëparshme, mbi 200 nga 211 federatat anëtare kishin mbështetur kandidaturën e tij. Megjithatë, situata ka ndryshuar ndjeshëm.
Disa federata kanë tërhequr publikisht mbështetjen, mes tyre ato të Uellsit dhe Suedisë, ndërsa edhe Federata Angleze pritet të bëjë të njëjtën gjë në ditët në vijim. Tashmë duket pothuajse e sigurt se Infantino do të përballet me të paktën një kundërshtar serioz në zgjedhjet që do të mbahen gjatë Kongresit të 77-të të FIFA-s në Rabat të Marokut, në muajin mars. Sipas “talkSPORT”, Ceferin dëshiron ta dobësojë edhe më tej pozitën e Infantinos duke shtyrë përpara idenë e bojkotimit të Kupës së Botës për Klube në vitin 2029. Turneu i zgjeruar për meshkuj, i propozuar fillimisht nga Infantino në vitin 2019, u zhvillua për herë të parë në vitin 2025, me 12 nga 32 klubet pjesëmarrëse që vinin nga UEFA. Raportohet se Ceferin do të zhvillojë një takim kokë më kokë me kryetarin e Shoqatës së Klubeve Evropiane (EFC), Nasser Al-Khelaifi, i cili është gjithashtu president i PSG-së, gjatë finales së Superkupës së UEFA-s mes PSG-së dhe Aston Vilës më 12 gusht. Një nga temat kryesore të diskutimit do të jetë pikërisht bojkoti i Kupës së Botës për Klube. Emri që po përmendet më së shumti si rivali kryesor i Infantinos është presidenti i CONCACAF-it, Victor Montagliani.






































