Google search engine
Home Politike “Veprimtari armiqësore ndaj Shqipërisë”, Ministria e Brendshme shpall “non-grata” 2 shqiptarë nga...

“Veprimtari armiqësore ndaj Shqipërisë”, Ministria e Brendshme shpall “non-grata” 2 shqiptarë nga Maqedonia e Veriut

0
28

Dy shqiptarë të Maqedonisë së Veriut, të cilët dyshohet se veprojnë kundër interesave të shtetit shqiptarë, janë shpallur “non-grata”, me firmën e ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari. Imami Bekir Halimi dhe analisti e ish-politikani, Valon (Valjon) Bela, ndalohen të hyjnë ose të kalojnë tranzit në vendin tonë për një periudhë 10-vjeçare, e cila përfundon në vitin 2036. Të dy shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, dyshohet se zhvilluan veprimtari që cenojnë sigurinë kombëtare dhe rendin kushtetues të Shqipërisë.

Sipas burimeve, propozimi për shpalljen e tyre të padëshiruar u bë fillimisht nga Drejtoria e Antiterrorit në Policinë e Shtetit, e cila grumbulloi informacion të veprimtarisë së tyre. Më pas erdhi firma e ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari. Në një deklaratë për mediat, ministri Lamallari bëri me dije se vendimi është marrë më 17 korrik në mbrojtje të interesit kombëtar. Vendimi është mbështetur në nenin 104 të ligjit “Për të Huajt”, i cili i jep ministrit kompetencën për të shpallur person të padëshiruar çdo shtetas të huaj që, për interesa të rëndësishme të shtetit, vepron ose propagandon kundër sovranitetit, sigurisë kombëtare, rendit kushtetues dhe rendit publik, apo që lidhet me organizata terroriste ose mbështet veprimtari kundër shtetit ligjor. Urdhri i ministrit Lamallari u është përcjellë për zbatim Policisë së Shtetit dhe strukturave të Policisë Kufitare, të cilat do të garantojnë ndalimin e hyrjes së tyre në Shqipëri.

Bekir Halimi është një imam i njohur në Maqedoninë e Veriut, me xhami në Shkup, i cili në vitin 2016 u përjashtua nga Bashkësia Fetare Islame pas përplasjeve me drejtuesit e institucionit. Ndërsa Valon Belja është analist politik dhe ish-aktivist, i njohur për komentet mbi zhvillimet politike në rajon. Ai ka mbajtur më herët poste të ndryshme në nivele të mesme politike në Maqedoninë e Veriut. Në një reagim në rrjetet sociale, Belja shkruajti se ky vendim i Ramës u dha në sinkron të plotë me Vuçic. Mbetet e paqartë se për çfarë veprimtarie konkrete dy shqiptarët e Maqedonisë janë shpallur “non grata”. Ky është rasti i dytë brenda pak më shumë se një muaji kur Ministria e Brendshme përdor mekanizmin ligjor të shpalljes “non grata” për arsye të sigurisë kombëtare. Më 25 qershor, Ministria e Brendshme shpalli person non grata edhe Ikballe Huduti, një shtetase nga Kosova, e lidhur ngushtë më regjimin iranian.

Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, shteti shqiptar ia ka ndaluar Haudutit hyrjen në territorin shqiptar për 15 vite. Huduti njihet për lidhjet e saj me regjimin iranian të Ajatollahëve, si dhe ka bërë thirrje publike kundër rendit kushtetues në Shqipëri, ndërsa para shpalljes non grata kishte postuar edhe foto e video teksa merrte pjesë në protestën para Kryeministrisë në Tiranë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here