Euro e ka nisur edhe këtë javë në rënie dhe ka zbritur në një minimum të ri historik. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, monedha europiane u këmbye dje me 94.89 lekë, niveli më i ulët i regjistruar ndonjëherë.
Kursi euro-lek ka rënë me afërsisht 1.9% që nga fillimi i vitit 2026, ndërsa me bazë vjetore rënia ka arritur në 3.2%. Agjentët e këmbimit valutor shprehen se nisja e sezonit veror ka sjellë një rritje të kuptueshme të ofertës në tregun valutor. Kjo i ka forcuar akoma më shumë presionet për zhvlerësimin e euros,.
Përveç turizmit, një ndikim të konsiderueshëm besohet se po sjellin edhe flukset valutore të lidhura me investimet në tregun e pasurive të paluajtshme. Të dhënat e Bankës së Shqipërisë treguan se për tremujorin e parë të vitit, pesha e investimeve në real estate në strukturën e investimeve të huaja direkte arriti në 43%, niveli më i lartë i regjistruar ndonjëherë. Sipas Bankës së Shqipërisë, investimet e huaja direkte u rritën përsëri në tremujorin e parë të vitit 2026.
Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, ato arritën vlerën e 404 milionë eurove, duke shënuar një rekord të ri historik për këtë periudhë të vitit. Investimet e huaja janë rritur me 11.6% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Në veçanti, investimet e huaja në pasuri të paluajtshme vlerësohet të kenë arritur në 174 milionë euro, duke shënuar gjithashtu një rekord të ri historik për tremujorin e parë të vitit.
Sektori i pasurive të paluajtshme besohet se tërheq brenda vetes edhe sasi të konsiderueshme të të ardhurave nga aktivitete kriminale dhe informale. Javën e kaluar, Prokuroria e Posaçme njoftoi zbulimin e një skeme të pastrimit të parave në këtë sektor, ku akuzohen se janë të përfshirë edhe ndërtues të rëndësishëm./Monitor









































