Ministri i Drejtësisë, Toni Gogu, prezantoi dje në Komisionin e Ligjeve projektligjin për amnistinë penale, i cili pritet të shqyrtohet në seancë plenare më 18 qershor. Mbledhja u zhvillua pa pjesëmarrjen e shumicës së deputetëve të opozitës, ndërsa i pranishëm ishte vetëm deputeti demokrat Arjan Ndoja. Gjatë prezantimit, ministri Gogu deklaroi se nisma synon të zbatojë një qasje të diferencuar ndaj personave të dënuar, duke vlerësuar rastet kur qëllimi i dënimit konsiderohet i përmbushur dhe kur riintegrimi në shoqëri është i mundur.
Sipas tij, projektligji nuk ndryshon qasjen ndaj autorëve të veprave të rënda penale dhe nuk krijon hapësira për përfitime për personat që vazhdojnë të paraqesin rrezikshmëri të lartë shoqërore. Gogu theksoi se amnistia rregullon vetëm marrëdhënien mes shtetit dhe autorit të veprës penale, ndërsa të drejtat e viktimave mbeten të pandryshuara. Sipas tij, e drejta për dëmshpërblim civil nuk preket nga ky projektligj dhe mbetet e garantuar edhe pas përfitimit nga amnistia.
Kush përfiton?
Drafti parashikon amnisti nga vuajtja e dënimit për disa kategori të dënuarish. Lirim të menjëhershëm do të përfitojnë:
- Burrat e dënuar me deri në tre vite burgim ose ata që kanë më pak se tre vite të mbetura për të vuajtur.
- Gratë e dënuara me deri në katër vite burgim ose ato që kanë më pak se katër vite të mbetura nga dënimi.
- Burrat që kanë mbushur moshën 60 vjeç dhe gratë që kanë mbushur moshën 50 vjeç.
- Të miturit që kanë qenë 18 vjeç ose më të vegjël në momentin e kryerjes së veprës penale.
- Përveç lirimeve të menjëhershme, projektligji parashikon edhe ulje të kohës së mbetur të dënimit.
- Sipas draftit, të gjithë të dënuarit që përfshihen në skemën e amnistisë do të përfitojnë një vit ulje dënimi, ndërsa gratë dhe të miturit do të përfitojnë një vit e gjysmë ulje dënimi.
- Projektligji parashikon edhe amnisti nga ndjekja penale për një pjesë të veprave penale. Procedimet do të pushohen për veprat që dënohen deri në tre vite burgim, me përjashtim të rasteve të përcaktuara shprehimisht në draft.
Kush s’përfiton?
Ndërkohë ministri Gogu deklaroi se projektligji nuk përfshin autorët e veprave më të rënda penale. Nga amnistia përjashtohen:
- vrasjet në rrethana cilësuese
- krimet seksuale
- trafikimi i qenieve njerëzore dhe format e tjera të trafikimit
- veprat terroriste
- korrupsioni
- krimi i organizuar
- veprat penale që lidhen me proceset zgjedhore
- si dhe pastrimi i parave.
Po ashtu, nuk do të përfitojë asnjë person apo subjekt që ndodhet nën juridiksionin e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe Gjykatës së Posaçme. Sipas të dhënave të paraqitura nga Ministria e Drejtësisë, sistemi penitenciar në vend ka një kapacitet prej 5,292 vendesh, ndërsa aktualisht në institucionet e vuajtjes së dënimit ndodhen 4,769 persona. Zbatimi i amnistisë pritet të sjellë një ulje prej rreth 10 për qind të popullatës penitenciare. Ministri Gogu argumentoi se ky nuk është objektivi kryesor i nismës, por një pasojë që mund të ndikojë në përmirësimin e trajtimit dhe menaxhimit të të dënuarve që do të vazhdojnë të vuajnë dënimin në burgje.






































