Google search engine
Home Bota Diplomatët e Komisionit Europian ‘ngecin’ në rrugë, makinat elektrike nuk përballojnë dot...

Diplomatët e Komisionit Europian ‘ngecin’ në rrugë, makinat elektrike nuk përballojnë dot udhëtimet e gjata

0
26

Komisionerët europianë po irritohen gjithnjë e më shumë me makinat elektrike që përdorin për udhëtimet zyrtare, pasi bateritë nuk arrijnë të përballojnë pa ndalesë rrugën nga Brukseli në Strasburg.

Sipas POLITICO, ndalesa në një stacion karikimi në Luksemburg është kthyer në një problem të vazhdueshëm për disa nga njerëzit më të afërt të Ursula von der Leyen. Makinat elektrike të flotës së Komisionit Europian kanë nevojë për rreth 20 deri në 30 minuta karikim gjatë rrugës, duke e zgjatur edhe më shumë udhëtimin që normalisht zgjat rreth pesë orë.

Zyrtarë nga tre kabinete komisionerësh i thanë medias se ndalesat për karikim po bëhen gjithnjë e më irrituese, sidomos pas javëve të gjata plenare në Parlamentin Europian, kur komisionerët duan të rikthehen sa më shpejt në Bruksel.

Ankesat e tyre rikthejnë edhe debatin më të gjerë në Europë mbi tranzicionin e gjelbër dhe ritmin me të cilin BE po shtyn elektrifikimin. Grupet politike dhe lobet e industrisë së automjeteve kanë paralajmëruar prej kohësh se infrastruktura dhe sjellja e konsumatorëve nuk janë ende gati për objektivat ambicioze të Brukselit.

Komisioni Europian kishte propozuar ndalimin e shitjes së makinave me motorë me djegie nga viti 2035, por industria automobilistike dhe mbështetësit e saj politikë kanë argumentuar vazhdimisht se rrjeti i karikimit dhe tregu nuk janë në atë fazë. Shumë konsumatorë europianë vazhdojnë të përmendin frikën se bateria nuk mban mjaftueshëm si arsye kryesore pse nuk blejnë makina elektrike.

Vetë Komisioni Europian po përballet tani me të njëjtin problem. Makinat janë pjesë e planit të Komisionit për të “gjelbëruar” operacionet e veta. Nisma nisi në vitin 2022 gjatë mandatit të parë të Ursula von der Leyen dhe u konfirmua sërish në dhjetor të vitit të kaluar. Objektivi është që e gjithë flota prej 128 automjetesh të jetë me zero emetime deri në vitin 2027.

Sipas një zëdhënësi të Komisionit, rreth 80% e flotës aktualisht është elektrike. Një tjetër zyrtar tha se flota përfshin modele të mëdha BMW, të cilat nuk janë shumë praktike për udhëtime të gjata pa karikim. Komisioni nuk pranoi të konfirmojë modelin konkret të automjeteve që përdoren.

Ndërkohë, vetë Komisioni ka zbutur qëndrimin për objektivat e emetimeve për prodhuesit europianë të makinave, duke lejuar përdorimin e llojeve të ndryshme të motorëve edhe pas vitit 2035, për sa kohë kompanitë kompensojnë emetimet me masa klimatike. Por ky fleksibilitet nuk duket se ka mbërritur ende te stafi i vet.

Sipas një zyrtari tjetër, çështja e ndalesave për karikim është ngritur edhe gjatë një mbledhjeje të Kolegjit të Komisionerëve në fillim të këtij viti, pasi një komisioner u ankua hapur për bezdinë e makinave elektrike. Atyre iu tha që çështjen ta diskutojnë me komisionerin për Buxhetin, Piotr Serafin, i cili mbulon administratën.

Alternativa tjetër për të shmangur ndalesat është të ecin shumë ngadalë në autostradë për të kursyer baterinë. “Por nuk funksionon realisht”, tha një zyrtar që punon për një komisioner të irrituar.

Sipas tij, udhëtimi në këtë mënyrë mund të zgjasë deri në shtatë orë. Komisionerët nuk preferojnë as trenin për udhëtimet drejt Strasburgut, sepse gjatë rrugës mund t’u duhet të zhvillojnë telefonata sensitive apo konfidenciale. Por nga ana tjetër, ata nuk janë të lumtur as me ndalesat për karikim, sidomos natën vonë pas javëve të lodhshme plenare.

Një komisioner duket se ka gjetur një zgjidhje tjetër. Tre zyrtarë thanë se komisioneri hungarez Olivér Várhelyi ka udhëtuar herë pas here drejt Strasburgut me një furgon bashkë me ekipin e tij, duke shmangur makinën zyrtare elektrike. Ndërkohë, Ursula von der Leyen nuk përballet me këtë problem. Presidentja e Komisionit Europian përdor automjet të blinduar për arsye sigurie dhe sipas një zyrtari aktualisht nuk ekziston një model elektrik i blinduar që plotëson kërkesat e sigurisë.

Komisioni Europian pritet të prezantojë në korrik planin e shumëpritur për elektrifikimin, pasi publikimi i paketës u shty nga afati fillestar i mesit të qershorit. Sipas zyrtarëve, plani do të përfshijë objektiva “ambicioze” për elektrifikimin në Europë.

Paketa u njoftua fillimisht në prill nga Ursula von der Leyen si pjesë e përpjekjeve të BE për të ulur varësinë nga lëndët djegëse fosile pas krizës në Lindjen e Mesme. “Duhet të përshpejtojmë elektrifikimin e ekonomisë sonë, të industrisë, mënyrës si ngrohim shtëpitë dhe mënyrës si lëvizim”, deklaroi ajo në atë kohë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here