Google search engine
Home Politike Ilirjan Mandro “sheiku” i Akademisë së Sigurisë 500 metër katror vilë pa...

Ilirjan Mandro “sheiku” i Akademisë së Sigurisë 500 metër katror vilë pa lejë, kush ia kaloi vetingun e policisë

0
27

Ilirjan Mandro, Rektori i Akademisë së Sigurisë, rezulton të jetë konfirmuar në detyrë nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP) në dhjetor të vitit 2024, pavarësisht fakteve të dokumentuara për pasurinë e tij që ngrenë pikëpyetje të forta. Dokumentet zyrtare të AMP-së zbardhin se Mandro zotëron një godinë banimi 3-katëshe, e cila në zanafillën e saj rezulton si një ndërtim pa leje. Sipas të dhënave të pasqyruara në vendimin e vetingut, bëhet fjalë për një godinë me sipërfaqe totale ndërtimi prej 450.3 m², e shtrirë në një truall prej 543 m². Objekti ndahet në katin përdhe (140.9 m²), katin e parë (154.7 m²) dhe katin e dytë (157.7 m²). Ky ndërtim, i cili në zanafillë rezultonte si “ndërtim pa leje” (pas një vetëdeklarimi të subjektit në vitin 2006), u legalizua përmes procedurave të ish-ALUIZNI-t, duke u pajisur me leje legalizimi në datën 18 prill 2011.

Pavarësisht kësaj historie pasurie, ku një pedagog me të ardhura nga paga ka ngritur një godinë të këtyre përmasave, trupa e vlerësimit e AMP-së (e përbërë nga Edona Dushaj, Enton Radovani dhe Henri Naqellari) doli në përfundimin se Ilirjan Mandro plotëson kushtet për konfirmim në detyrë. Në vendimin e datës 06.12.2024, AMP-ja konstaton se subjekti ka “nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë” dhe “nivel të besueshëm në vlerësimin e kontrollit të figurës”. Kjo vendimmarrje ngre dilema të mëdha mbi integritetin e procesit të vetingut. Si ka mundësi që një ndërtim pa leje dhe një pasuri prej qindra metrash katrorë, vetëm me dy rroga pedagogu nuk u bënë pengesë për konfirmimin e tij? Por kjo është vetëm maja e ajsbergut. “Gazeta SOT” ka siguruar informacione të tjera dhe shumë shpejt do të publikojë detaje të reja nga pasuria e madhe e vënë nga Mandro, ku çdo aset duket se bie ndesh me mundësitë financiare që ofron paga e një pedagogu. Investigimi ynë do të zbardhë të tjera prona dhe lëvizje financiare që shtojnë hije të rënda dyshimi mbi integritetin e Rektorit, duke dëshmuar se “sheiku” i Akademisë ka më shumë për të shpjeguar sesa thjesht vilën 3-katëshe.

Shkarkimi i Mandros

Kjo pasuri e pajustifikuar është vetëm njëra anë e medaljes. Në artikullin e kaluar raportuam se institucioni që duhet të ishte tempulli i ligjshmërisë, është katandisur në një “çiflig” abuzimesh, ndërsa fati Mandros është kthyer në një test që qeveria po e humbet çdo ditë. Pavarësisht konstatimeve të rënda të KLSH, të cilat prej kohësh kanë kërkuar shkarkimin e tij për shkelje të rënda, Rektori vijon të mbetet në detyrë nën një mbrojtje të dyshimtë politike. Dokumentet e fundit të datës 13 mars 2026 pasqyrojnë auditimin mbi zbatimin e rekomandimeve, dëshmojnë qartë se institucionet kanë zgjedhur të injorojnë faktet, duke kthyer “rekomandimet” e KLSH-së në një formalitet të zhvlerësuar nga dora e Ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, dhe Ministres së Arsimit, Mirela Kumbaro.

Nëse kthehemi pas në kohë, shkarkimi i Mandros nuk është një kërkesë e re, por një kambanë alarmi që ka rënë prej kohësh. Dokumentet e KLSH-së të pasqyruara në raportet e auditimit tregojnë një histori të gjatë mosveprimi që daton që nga periudha kur u konstatuan shkeljet e rënda mbi përdorimin e fondeve publike, mungesën e eficiencës dhe dështimet në prokurime. Dokumentet e KLSH-së janë një akuzë e hapur për mënyrën se si Rektori Mandro ka administruar burimet e Akademisë. Auditi ka evidentuar parregullsi flagrante në përdorimin e fondeve, duke theksuar mungesën totale të ekonomicitetit, efektivitetit dhe eficiencës. KLSH-ja ka qenë e qartë në kërkesën e saj për masa disiplinore, duke i kujtuar sërish Ministrisë së Brendshme dhe Ministrisë së Arsimit se Mandro duhet të mbajë përgjegjësi personale për këto dështime.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here