Nga Julia Vrapi
“Shkodra Elektronike” përfaqësimi i vendit tonë në “Eurovison 2025” këtë mbrëmje do të jetë në skenë me këngën “Zjerm”. Grupi “Shkodra Elektronike” do të performojë këtë mbrëmje që është dhe gjysmëfinalja e parë e “Eurovision” në Bazel të Zvicrës. Interpretuar nga Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca, kënga “Zjerm” është një përzierje artistike mes muzikës tradicionale shkodrane dhe elektronikës moderne. Për “Eurovision 2025” të dielën u zhvillua dhe një paradë ku merrnin pjesë konkurrentë nga 37 shtete, por konkurrimi fillon këtë mbrëmje, që është dhe gjysmëfinalja e parë. Gara e këtij festivali që mbahet në Bazel të Zvicrës do të përbëhet nga dy gjysmëfinale, që mbahen më 13 dhe 15 maj dhe një finale më 17 maj 2025. Shqipëria do të garojë e 12-ta në radhë në gjysmëfinalen e parë, më 13 maj. Këtë mbrëmje të marte Beatriçe Gjergji dhe Kolë Laca do të këndojnë shqip në Zvicër.
Renditja e performancave në gjysmëfinalen e parë është: Islanda, Polonia, Sllovenia, Estonia, Spanja, Ukraina, Suedia, Portugalia, Norvegjia, Belgjika, Azerbajxhani, Shqipëria, Holanda, Kroacia, Qipro. Gjysmëfinalja e dytë përfshin këto vende: Australia, Mali i Zi, Irlanda, Letonia, Armenia, Austria, Greqia, Lituania, Malta, Gjeorgjia, Danimarka, Republika Çeke, Luksemburgu, Izraeli. Në gjysmëfinalen e parë, Spanja dhe Italia do të kenë të drejtën e votës, ndërsa në gjysmëfinalen e dytë, Mbretëria e Bashkuar dhe Franca do të votojnë. Franca, Gjermania, Italia, Spanja dhe Mbretëria e Bashkuar, të konsideruara si vendet “e mëdha”, janë kualifikuar automatikisht pa u dashur të garojnë në gjysmëfinale. Po ashtu edhe Zvicra, si fituese e edicionit të kaluar të “Eurovision”, nuk garon në gjysmëfinale. “Eurovision” shënon këtë vit edicionin e 69-të. “Eurovision” mbahet në Bazel të Zvicrës, pas fitores së tyre në konkursin e vitit 2024 me këngën “The Code” nga Nemo.
“Shkodra Elektronike” pas skenës së Festivalit të RTSH në “Eurovision”
Grupi “Shkodra Elektronike” u shpall fitues në Festivalin e Këngës në RTSH në dhjetor 2024, duke u bërë dhe përfaqësimi i vendit tonë në “Eurovision” këtë vit. Performanca e grupit “Shkodra Elektronike” në Festivalin e Këngës në RTSH që zhvilloi edicionin e 63-të në dhjetor 2024 mori në total 143 pikë në votimin e ndarë 50 për qind nga juria dhe 50 për qind nga publiku. Elvana Gjata arriti të marrë vendin e dytë me këngën “Karnaval”, duke grumbulluar 135 pikë, ndërsa Alis siguroi vendin e tretë me këngën “Mjegull”, me 59 pikë. Teksti i këngës “Zjerm” është shkruar nga Beatriçe Gjergji dhe Lekë Gjeloshi. Ndërsa “Titan” kënduar nga Besa Kokëdhima ishte kënga që përfaqësoi Shqipërinë në “Eurovision 2024” në Malmo të Suedisë.
Pjesëmarrja në “Eurovision” e Shqipërisë nisi në vitin 2004 kur vendi ynë u përfaqësua nga këngëtarja Anjeza Shahini me këngën “Imazhi yt”. Kënga u këndua në anglisht, me titull “The Image Of You”. “Eurovision” është një konkurrim ndërkombëtar muzikor evropian, i cili zhvillohet çdo vit, që nga viti 1956. Ky konkurs ndërkombëtar, i cili përbëhet nga gjysmëfinalja dhe finalja, sipas rregullores mbahet në vendin e fituesit të vitit të mëparshëm.