Kategoria Superiore do të mbyllë xhirot e rregullta të saj për këtë sezon, ku padyshim në garë për trofeun janë Egnatia, Vllaznia dhe Dinamo, si dhe njëra prej skuadrave të Elbasanit dhe Partizanit. Gjithçka duket e hapur për këto të katra, por vendimi do të jepet pasi të luhet edhe faza “Final Four”. Ndërkohë, në fundtabelë situata duket edhe më interesante, pasi nuk është përcaktuar ende se cila skuadër bie e kush mbijeton, paçka e Laçi e Tirana janë më të rrezikuarat e momentit. Një fitore të shpëton, e një humbje të rrëzon, ndaj gjithçka mund të ndodhë në këtë javë të fundit të Superiores.
Java e fundit
Kalendari është i përcaktuar tashmë. Ndeshjet do të luhen të gjitha në një orar dhe FSHF i ka marrë masat të mos ketë tensione, edhe pse këto tensione në dukje janë të pashmangshme në këtë xhiro të fundit. Java e fundit e kampionatit “Abissnet Superiore” do të luhet e gjitha ditën e diel, në orën 15:30. Kjo javë pritet të jetë vendimtare për disa prej skuadrave, pasi do të përcaktohet ekipi i katërt që do të marrë pjesë në fazën “Final Four”, ekipet që do të bien nga kategoria, si edhe skuadra që do të luajë në ndeshjen e “play-out”-it.
Vllaznia pret Laçin në Shkodër, ndërkohë që një nga sfidat më interesante të javës është ajo mes Partizanit dhe AF Elbasanit, ku një prej këtyre skuadrave do të sigurojë vendin në katërshen e parë. Të tjera takime të rëndësishme do të zhvillohen po ashtu të dielën. Dinamo Sitit do të përballet me Tiranën, me bardheblutë që kërkojnë me çdo kusht fitoren. Në ndeshjen Skënderbeu – Bylis, të dyja skuadrat do të luftojnë për tri pikët, ndërsa Egnatia do të presë Teutën në “Arena Egnatia”. Rrogozhinasve u mjafton barazimi për të vulosur përfundimisht vendin e parë në renditje pas 36 javësh kampionat.
Statistikat e javës 37
Një statistikë e frikshme sa u përket golave të shënuar në javën e parafundit. Ishte java me më pak gola të shënuar për këtë sezon, vetëm pesë. Ajo që ra në sy, ishte se të pesta rrjetat u shënuan në pjesën e dytë të takimeve. Më pak se ky numër ishin regjistruar për herë të fundit sezonin e kaluar, përkatësisht në javën e 30-të të Superiores, ku u realizuan vetëm 4 gola. – Tirana, Dinamo, Egnatia, Skënderbeu dhe Partizani nuk arritën që të shënonin. Ndërsa nga një gol shënuan: Teuta, Laçi, Bylis, Elbasani dhe Vllaznia. – Dy fitore nga ekipet vendëse erdhën këtë javë, ajo e Bylisit dhe Laçit, ndërsa në transfertë arriti sukses vetëm Teuta.
Dy ndeshjet e tjera përfunduan në barazim. – Katër nga pesë gola u shënuan nga lojtarë shqiptarë. (Gjoni, Balaj, Beshiraj dhe Përndreca). I vetmi gol nga futbollisti i huaj ishte ai i brazilianit Melo. – 26 kartonë të verdhë u akorduan në këtë javë, tri më pak sesa atë të kaluarën në pesë ndeshjet e Superiores. Rekord vendosi takimi mes Egnatias dhe Skënderbeut, i cili nuk pati gola, por u dhanë 10 kartonë të verdhë, nga pesë për çdo skuadër. Ndërkaq, pati edhe një karton të kuq në takimin mes Laçit dhe Dinamos, ku u ndëshkua Gudjabi.