Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se do ta godasë Rusinë me sanksione shtesë, nëse presidenti Vladimir Putin nuk i pranon bisedimet për paqe për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, përderisa i ka bërë thirrje udhëheqësit kinez, Xi Jinping, gjatë një bisede telefonike, për të ndihmuar në ndaljen e konfliktit. “Duket se po”, u ka thënë Trump gazetarëve në Shtëpinë e Bardhë, më 21 janar, kur është pyetur nëse Uashingtoni do të vendosë sanksione të reja ndaj Rusisë, nëse Putin nuk i bashkohet tavolinës së negociatave.
Trump nuk ka ofruar hollësi për masat e reja të mundshme, të cilat do t’i shtoheshin një varg sanksionesh që tashmë shënjojnë Rusinë për pushtimin në shkallë të gjerë të Ukrainës më 2022. Presidenti amerikan ka ritheksuar synimin e tij për të biseduar me Putinin në planin afatshkurtër, por pa përmendur një periudhë.
“Ne po bisedojmë me [udhëheqësin ukrainas, Volodymyr] Zelensky. Do të flasim me presidentin Putin shumë shpejt. Do ta shikojmë”.