Google search engine
Home Sport Jurgen Klop bëhet shef global futbolli i kompanisë së madhe “Red Bull”

Jurgen Klop bëhet shef global futbolli i kompanisë së madhe “Red Bull”

0
98

Adriatik BALLA

Deri në fund të sezonit të kaluar ai ishte një nga teknikët më të vlerësuar në botë. Udhëhoqi Liverpulin anglez për gati një dekadë ku arriti suksese të mëdha, madje fitoi jo vetëm titullin në Premier League, por edhe trofeun ne Champions League në vitin 2020. Bëhet fjalë për Jurgen Klop, teknikun gjerman aq të njohur për trajnimet e tij unikale dhe natyrisht motivimin ekstrem të futbollistëve. Por tani trajneri Klop duket se është shkëputur nga futbolli aktiv, pra si trajner në fushë, por ka veshur të tjera “tuta”. Madje ai ka veshur kostumin e ambasadorit për një kompani të madhe.

Kështu, Jurgen Klop është emëruar shef global i futbollit në Red Bull. Ish-trajneri i Borusia Dortmundit dhe i Liverpulit do ta marrë pozitën e re që nga 1 janarit i vitit 2025. “Pas më shumë se 25 vjetësh në fushë, nuk mund të isha më i emocionuar kur u përfshiva në një projekt si ky”, deklaroi 57 vjeçari, shkruan “BBC”. “Pozita ka ndryshuar, por pasioni im për futbollin dhe për njerëzit që e bëjnë këtë lojë, nuk ka ndërruar aspak”, shtoi ai.

Brendi i pijeve energjike Red Bull i ka në pronësi klubin gjerman RB Leipzig, atë austriak Red Bull Salzburg, klubin amerikan Nju Jork Red Bulls, por edhe atë brazilian Red Bull Bragantino. Gjithashtu, ka aksione të vogla në klubin anglez, Lids. Red Bull njoftoi se Klop nuk do të jetë i përfshirë në operacionet e përditshme, por do t’i vëzhgojë ekipet në filozofinë e lojës, strategjinë e transfereve dhe në zhvillimin e ushtrimeve.

“Jurgen Klop është njëri prej më të mëdhenjve dhe prej figurave me influencën më të madhe në botën e futbollit, me aftësi të jashtëzakonshme dhe me kazirmën e tij”, thotë Oliver Mintzlaf, shef ekzekutiv i kompanisë në korporatën e projekteve dhe të investimeve. “Në rolin e tij si shef i futbollit, ai do të jetë ndryshues i lojës për zhvillimin tonë në futbollin ndërkombëtar dhe në përmirësimin e tij të vazhdueshëm”, vazhdoi ai. Klop i fitoi tetë trofe në nëntë vjet sa qëndroi në Liverpul, përfshirë këtu Premierligën dhe Ligën e Kampionëve, para se të largohej nga “Anfield Road” në fund të sezonit të kaluar.

Ai e kishte nisur karrierën si trajner në Mainz në vitin 2001 para se t’i bashkohej Borusia Dortmundit në vitin 2008, ku i fitoi dy tituj të kampionit në Bundesligë dhe e arriti finalen e Ligës së Kampionëve në vitin 2013. Ai dha dorëheqje në maj të vitit 2015 për të pushuar paksa, ndërsa më pas e pasoi Brendan Rodgersin në “Anfield” në tetor të atij viti. Red Bulli ka investuar ndër të tjera në hokej në akull, në sportet ekstreme, në motorsport dhe në dy ekipe të Formula 1 etj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here