Kori i Filharmonisë së Kosovës nën udhëheqjen e dirigjentit dhe kompozitorit Rafet Rudi, një koncert për 20-vjetorin e krijimi të tij në Teatrin e Operës dhe Baletit

0
79

Në 20-vjetorin e krijimit të tij, Kori i Filharmonisë së Kosovës vjen me një koncert në Tiranë. Mbrëmjen e datës 2 shkurt në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit nën udhëheqjen e dirigjentit dhe kompozitorit të mirënjohur Rafet Rudi, Kori i Filharmonisë së Kosovës do japë një koncert për artdashësit. Koncerti sipas TKOB vjen dhe në kuadër të bashkëpunimit ndërinstitucional me Filharmoninë e Kosovës. Koncerti në TKOB vjen me një program të pasur muzikor. TKOB shprehet se koncerti do të zhvillohet me pjesëmarrjen e violinistes së njohur, Sihana Badivuku, ku në program janë vepra të autorëve të njohur shqiptarë dhe të huaj. “Kori i Filharmonisë së Kosovës do të vijë me një performancë mbresëlënëse, përfshirë interpretimin e veprës “Concerto Fantasy” për violinë dhe kor nga Rafet Rudi, si dhe një repertor me vepra nga Mendi Mengjiqi, Aulon Naçi, Eric Whitacre, Ko Matsushita, Baki Jashari dhe Eriks Esenvlads”, thuhet nga Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit për koncertin që zhvillohet mbrëmjen e së premtes. Koncerti në Tiranë vjen nën udhëheqjen e Rafet Rudit, që në jetën muzikore të Kosovës, me veprimtarinë tij si kompozitor, si dirigjent dhe si mendimtar shprehur në fushën e publicistikës dhe filozofisë së muzikës, si anëtar i Akademisë Europiane të Shkencës dhe Arteve, paraqet personalitetin më të spikatur dhe më aktiv në 2-3 dekadat e fundit në botën muzikore të Kosovës. Rudi, si shef-dirigjent i Korit të Filharmonisë Kosovës mban koncerte në Maqedoni, Kroaci, Shqipëri, Itali, Angli (“A stunning, mystical performance from Kosova Pilharmonic Choir”- Hastings Observer). Incizimet e Korit i gjejmë në platforma të ndryshme të internetit  dhe Cassic FM, si ansambël favorit. Në vitet e fundit, Safet Rudi i përkushtohet zbulimit, restaurimit dhe adaptimit të literaturës korale të autorëve të vjetër shqiptarë Gjergj Danush Llapacaj-shek. XVI, Jan Kukuzelit-shek. XIII dhe Niketa i Remisianës-shek. IV). Rudi merret aktivisht me publicistikë.

Tradita e këndimit koral

Kori i  Filharmonisë vazhdon të kultivojë traditën e këndimit koral që në Kosovë ekziston që nga viti 1945. Repertori i Korit të Filharmonisë së Kosovës përfshinë vepra të epokave të ndryshme stilistike nga renesansa e deri te veprat e kompozitorëve të muzikës bashkëkohore. Vend të posaçëm në repertorin e korit zë literatura e muzikës shqiptare. Kori së bashku me orkestrën e Filharmonisë së Kosovës kanë interpretuar një sërë veprash të rëndësishme vokale-instrumentale si: Mesha në D-dur nga Mozart-i, “Vespro della Beata Vergine 1610” nga Monteverdi, Kantata Nr.8 nga Bach-u, “Gloria” nga Vivaldi, Mesha në C-dur nga Beethoven-i dhe “Missa in tempore belli” nga Haydn-i, etj. Me 3 shtator 2016, Kori dhe Orkestra e Filharmonisë së Kosovës u prezantuan në koncertin e organizuar në nderim të Nënë Terezës në Vatikan, në vigjilje të shenjtërimit të saj.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here