Publikohet për herë të parë dokumenti i vitit 1467 në gjuhën osmane, krahina e Shëngjergjit quhej “Tamadhe”

0
427

E vërteta historike nuk shuhet. Dëshira e mirë për t’i dhënë fund hamendësimeve ma shtoi dhe më shumë bindjen se kush kërkon të vërtetën një ditë do ta gjejë. Dokumenti në osmanisht, qartësisht prezanton emrin e Shëngjergjit të Tiranës në kohën e Skënderbeut.  Tamadheja është një nga krahinat më të vjetra të Shqipërisë së Mesme. Ajo përmendet në mjaft dokumenta dhe shkrime historike të mesjetës me rastin e ngjarjeve dhe ndodhive të ndryshme, sipas periudhave. Krahina e Tamadhesë ndodhet në lindje të Tiranës. Shumë gjurmues historie, të vendit dhe të huaj, nuk kanë patur saktësi apo dijeni, as për vendin e trevën ku shtrihej kjo krahinë. Disa e shqiptojnë “Tamadhe”, të tjerë “Tamadie”, “Tomadhe”, ndërsa historiani Biemi e quan “Temethe”. Eqerem Çabej e cilëson si fjalë e herët shqipe. Emrin e përdor dhe Barleti. Gjon Muzaka dhe studiuesi gjerman Ch.Hobf në veprën “Kronikë Greko-Romane”. Duke treguar për pronat e motrës së Skënderbeut, bashkëshortes së Vladan Aranitit na tregojnë se janë në Tamadhe dhe kaq, pa përcaktuar vendndodhjen. Ndërsa në defterët e Turqisë të vitit 1467, kjo krahinë përmendet si Kaza më vete pa thënë se ku shtrihet. Dhimitër Shuteriqi e përmend si vendbanim që do të thotë “Dheu i Tomës”. Konkretisht, ai e lidh këtë emër me një stërgjysh të Vladan Aranitit, që quhej Toma, por mund të jetë edhe toka e Deas ose Tama. Ndërsa Dhimitër Pilika mendon se Tamadhe është e barabartë me “Të Mëdhenjtë” ose “ Të mëdhej”. Këtu ai e ka fjalën për Aranitët.

Publikohet për herë të parë dokumenti i vitit 1467 në

Tamadhe, zotërimet e Muzakës së Angjelinës

Sipas Gj. Muzakës- Barleti nuk jepte asnjë informatë për këtë çështje. Zotërimet e Muzakës së Angjelinës ishin në Tamadhe (Tamadia) e në Çermenikë. Ai kishte një kështjellë në vendin e quajtur Biesca dhe katër fshatra të quajtura Marguesi, pranë një vendi (ose fshati) Poglola. Emri i Tamadhesë mund të na ndihmojë për t’i vendosur disi qartë zotërimet e djalit të Vladan Aranitit. Pjetër Budi në letrën e tij drejtuar kardinal Gocadinit e dallon Tamadhenë nga Çermenika, duke e përmendur fill para kësaj dhe fill mbas krahinave të Bendës e të Kurbinit. Më 1649 Françesk Bolica e përmend Tamadhenë midis krahinave të Rëndësisë (Benda) dhe të Shën Martinit (Martaneshi). Një tjetër misionar katolik Jacint Sospelo shkruan më 1650 se Arqipeshkëvia e Durrësit, ndër male, “përqafonte Bendën deri në Tamadhe” e më thellë gjer në kufijtë e Dibrës së Sipërme. Në dy relacione, Mark Skura më 1641 e 1644, peshkopatën e Bendës e përcakton mirë me katundet sot të njohura të Shën Gjergjit, Shën Mërisë, Qafë Mollës, Shën Palit, Mënerës, Bastarit, Gurit të Bardhë, Shën Martinit, Xibrit, Badrës dhe pak të tjera që s’janë identifikuar. Mund të përfundojmë se krahina e Tamadhesë vendoset në malësitë përreth Martaneshit dhe kryesisht në këtë vend kufi me Çermenikën. Përsa u takon vendbanimeve Biesca, Marguesi, Poglola, duhet të pohojmë se toponimet e viseve ku ata mund të vendosen e njohim tepër pak dhe si kemi identifikuar dot.

Zbardhet dokumenti osman i vitit 1467

“Nahija Tamadheja”. Kështu shkruhet tek Regjistri kadastral Osman i vitit 1467. Registri tahrir i vitit 1467, është regjistër i detajuar (mufasal). Në të figurojnë timaret e Sanxhakut të quajtur të Dibrës, që përmbledh një numër vilajetesh, si të Dy Dibrat (e Sipërmja dhe e Poshtmja), Dollgobërda (Golloborda), Çermenika, Mati, Uraka, Vilajeti i Dhimitër Jonimës (në veri të Krujës), ai i Kurbinit, i Akcehisarit (Kruja), i Bendës, i Tamadhesë. Osmanët kanë regjistruar edhe viset më malore e më të thella, si Lurën e Martaneshin etj. Regjistri gjendet në Arkivin Osman të Stambollit në fondin MAD (regjistra të ardhur nga Ministria e Financës) nën numrin 508. Regjistri është hartuar menjëherë pas fushatës së Sulltan Mehmetit të Il në Shqipërinë e Mesme, gjatë së cilës u ndërtua qyteti i Elbasanit, u rrethuan kalaja e Durrësit dhe e Krujës dhe mbi të gjitha, mesa hedh dritë regjistri osman, u bë një krehje e trevës duke u rivendosur sistemi i timareve. Megjithëse vite më parë ka patur një përkthim në shqip dhe të pjesës ku shkruhet për Tamadhenë, i cili është botuar në librin kushtuar Shëngjergjit, sërish ka mbizotëruar dyshimi, sepse ai asnjëherë nuk është prezantuar në gjuhën osmane. Këtij dyshimi i janë shtuar disa botime dhe shkrime ku citohet dokumenti i përkthyer nga njëra anë dhe nga ana tjetër përdoret ndryshe toponimi. Pothuajse të gjithë shkruesit kanë përdorur të dy variantet “Tamadhe” e “Tomadhe” këtë të fundit me argumentin se e përdor populli. Por, ajo që na është transmetuar dhe që ka mbetur e shkruar është kontraditore. Kjo më bëri të hulumtoj sërish. Jo për shkronjën “a” apo “o”, por për të vërtetën historike. Personalisht nuk do ta kisha aspak problem ta përdorja “Tomadhe” dhe në gazetën “Tamadhe” (Shëngjergji i Tiranës) që unë drejtoj. Këtë e kam demonstruar që në numrin e parë të kësaj gazete, sepse misioni im është që të zbardhet e vërteta. Dokumenti osman i vitit 1467 që publikohet për herë të parë, ndriçon përfundimisht të vërtetën për emrin Tamadhe të krahinës së Shëngjergjit.

Publikohet për herë të parë dokumenti i vitit 1467 në

Si e ka përdorur Dhimitër Shuteriqi, Tamadhe, Tomadhe apo të dyja?

“Aranitët” titullohet libri me autor studiuesin, historianin e shkrimtarin Dhimitër Shuteriqi. Librin e tij prej 165 faqesh ai e ka konceptuar në dy pjesë. Në të parën ai merret me emrin (Aranit, Komnen, Golem, Topiaj, Shpata etj, të gjithë emrat me të cilët ata dokumentohen apo përmenden), gjenealogjinë dhe nxjerr edhe përfundimet përkatëse, ndërsa në pjesën e dytë sjell një panoramë të zotërimeve të Aranitëve dhe të Aranitisë në vitin 1467. Në faqen 107 të librit të Shuteriqit, botim i vitit 2011, është cituar Muzaka. Shuteriqi ndërmjet të tjerave në faqen 108 të këtij botimi shkruan: “Mund të përfundojmë se krahina e Tamadhesë vendosej në malësitë përreth Martaneshit dhe kryesisht në këtë vend, kufi me Çermenikën. Pra si dhe Muzaka ai e përdor Tamadhe. Po ashtu, në kopertinën e librit të Shuteriqit është vendosur një hartë e zotërimeve të Aranitëve në shekullin e XV ku është shkruajtur Tamadheja së bashku me krahinat e tjera. Bazuar në dokumentat e kohës dhe punës së tij të jashtëzakonshme, besoj se Shuteriqi ka qenë i bindur se kjo krahinë quhej “Tamadhe”. Por, në këtë botim në faqet e fundit duke cituar dhe burimet e cilësuara më parë ( si ajo e Muzakës), përdoret nga Shuteriqi Tomadhe dhe jo Tamadhe siç e kishte shkruar. Pra, na lind e drejta të gjykojmë se është një gabim shtypi. Ose autori e ka përdorur në gjuhën e popullit siç pretendohet. Apo ai kishte krijuar idenë se quhet “Dheu i Tomës”!

Publikohet për herë të parë dokumenti i vitit 1467 në

Regjistri kadastral i vitit 1467 dhe botimi “Lufta shqiptaro-turke 1370-1530 (Burime Osmane)

“Një punë e shkëlqyer që do t’i shërbejë brezave”. Kështu do ta cilësoja botimin “Lufta shqiptaro-turke 1370-1530 (Burime Osmane)”, ku padyshim merita i takon osmanologut Selami Pulaha. Në faqen 336 të këtij botimi prezantohet kopja e defterit emëror shkruar në mars 1467. Për studiuesin dhe osmanologun Ermal Nurja në fletët 1-6 dhe 26-145, që nuk janë pjesë e botimit gjenden të dhëna interesante, të ndryshme si për një timar, që zotërohej në kohën e Skënderbeut, po ashtu identifikohen personat që patën kapur bashkëluftëtarët e rëndësishëm të Skënderbeut, Moisi Golemin dhe Muzakën e Angjelinës, në konfrontimin e fundit luftarak, të cilët më pas u pajisën me timare brenda sanxhakut. Nurja na prezanton një dokument osman që identifikon Jusufin dhe Gjonin, si dy personat që kapën Muzakën e Angjelinën, nipin e Skënderbeut dhe u shpërblyen me timar n? fshatin Gradec. Pas vrasjes së Gjin Muzakës (kunat i Skënderbeut), Muzakë Komnenit ose Muzakës së Angjelinës (nip i Skënderbeut), Vladan Gjuricës (kushëri i Skënderbeut), Moisiut të Dibrës, Gjon Perlatit, Nikollë Berishës, Gjergj Kukës dhe Gjin Maneshit, osmanët iu futën punës së ndarjes së timareve dhe regjistrimit të përgjithshëm në Sanxhakun, që i vunë emrin e Dibrës.

Ja dokumenti ku përdoret Shëngjergj

Në shumë dokumenta është thënë se Shëngjergji njihet me këtë emërtesë pas 1600-ës. Në faqen 337 të botimit me titull: “Relacione mbi gjendjen e Shqipërisë veriore dhe të mesme në shekullin e XVII( 1634-1650)”, Mark Skura shkruan ndërmjet të tjerave për të krishterët në Shëngjergj, Shënmëri dhe Shëngjin. Mark Skura i drejtohet Kongregacionit të Prop. F, mbi vizitën e kryer nëpër dioqezat e Shqipërisë së Mesme  pas 1644-ës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here