FSHF e mohon, por në Itali shkruajnë se Reja do të largohet, trajneri i ri do të jetë sërish italian

0
125

Ish-tekniku i Kombëtares, Xhani De Biazi, dje firmosi kontratën në Azerbajxhan, e cila e mban të lidhur me përfaqësuesen e atij vendi për një vit të plotë. Kjo do të thotë se De Biazi nuk është më kandidaturë për të vazhduar sërish me kuqezinjtë e Shqipërisë, sikurse u la përshtypja e përgjithshme prej disa ditësh. Në të vërtetë, trajneri aktual Edi Reja vështirë se do të vazhdojë në krye të përfaqësueses, për shkak të dështimit të plotë në Ligën e Kombeve. Ndryshe nga FSHF që ka dalë me një deklaratë ku kujton se Reja ka kontratë deri në fund të nëntorit, për mediat italiane Reja është i shkarkuar dhe pritet vetëm të mësohet emri i trajnerit tjetër italian që do t’i zërë vendin. Pasi kanë analizuar situatën, ata kanë dalë në konkluzionin se mes FSHF-së dhe di Biaxhos ka kontakte dhe këto kontakte do të finalizohen në nëntor, kohë kur mbyllet edhe kontrata e Rejës.

Qëndrimi i medieve italiane

Nuk janë të pakta, por pjesa e medieve kryesore e shohin aventurën e mëtutjeshme të Rejës të pamundur, nisur nga mosha dhe dështimi në Ligën e Kombeve. Madje, përtej Adriatikut janë të sigurt se FSHF nuk do të vijojë bashkëpunimin me teknikun 76-vjeçar dhe se kanë zgjedhur kandidat një emër të njohur si në arenën e trajningut, por edhe kur aktivizohej si futbollist. Sipas asaj që raporton e përditshmja sportive italiane “La Gazzetta dello Sport”, Luixhi Di Biaxho është kandidati potencial për të qenë trajneri i Shqipërisë menjëherë pas shpalljes së “divorcit” me Edi Rejën. Nuk dihet ende se çfarë pritet të ndodhë, por në mediat italiane janë të bindur se ish-futbollisti i Interit, i Romës dhe i kombëtares italiane do të ulet në pankinën e Shqipërisë. 51-vjeçari italian, ka mbajtur veshur gjithashtu edhe fanellat e Breshias, Lacios, Foxhias, Monzës dhe Askolit.

Ndërsa në karrierën si trajner, Di Biaxho ka stërvitur SPAL-in, Italinë U-21, Italinë U-20.

Situata në Kombëtare

Me mbylljen e Ligës së Kombeve, në grupin e dytë të Divizionit B, Shqipëria zuri vendin e fundit në grup, me vetëm dy pikë, duke mos rivalizuar dot me Izraelin dhe Islandën që zunë respektivisht vendin e parë e të dytë. Por Shqipëria nuk bie në ligën C, sepse ajo ka shansin të jetë në një grup me tri skuadra si pasojë e mungesës së Rusisë. Në këtp rrethana, i mjafton dypikëshi që të qëndrojë në ligën B dhe ky është një shans për edicionin e ardhshëm. Por problemi i Kombëtares është oscilacioni i madh në lojë e rezultate. Edhe pse ka një grup të talentuar, madje me role të dubluara, skuadra nuk po e bën kapërcimin e madh. Kjo do të thotë se gishti i problemit fokusohet tek trajneri, i cili duhet të krijojë fillimisht një grup të konsoliduar të skuadrës titullare, pra një bosht ku të vërtiten të tjerët. Por Reja nuk e ka bërë këtë, prandaj edhe është në shënjestër të kritikave dhe me shumë gjasë nuk do ta vazhdojë më tej aventurën në krye të përfaqësueses së Shqipërisë. Prandaj dhe qëndrimi i medieve italiane se FSHF është në diskutime me Di Biaxhon tregon shumë në këtë aspekt. Pra kërkohet një trajner i ri, që me gjasë do të emërohet në nëntor.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here