Teuta zgjedh trajnerin e ri, Bledi Shkëmbi në pankinën durrsake

0
57

Ende pa nisur mirë sezoni, kur janë luajtur vetëm tri ndeshje në Kategorinë Superiore, ia nis “vallja” e shkarkimeve të trajnerëve, ku “kurbani i parë” u bë tekniku Renato Arapi i Teutës, ndërkohë që klubi emëroi dje trajnerin e ri Bledi Shkëmbi. Në fakt, lëvizja e parë në pankina ishte dhënë dy ditë më parë kur Kukësi shkarkoi zv/trajnerin kroat të tij me arsyetimin e ai nuk shkonte mirë me lojtarët. Në të vërtetë ishte një paralajmërim për trajnerin Skënder Gega, por edhe për grupin dhe pjesën tjetër të stafit, pasi Kukësi, pavarësisht se është skuadër me pretendime, e ka nisur keq sezonin dhe pas tri javëve të para ndodhet në vend të fundit. Edhe Teuta e nisi dobët dhe pas tri ndeshjesh të luajtura ndodhet në vend të parafundit. Thënë ndryshe, skuadra durrsake regjistron pas tri ndeshjesh në kampionat të provojë teknikun e dytë dhe Bledi Shkëmbi është aq “dinak” sa ta kuptojë që rezultatet ose të bëjnë “mbret” ose të mbajnë pak javë në krye të grupit.

Prezantimi

Ndodh lëvizja e parë në pankinat e Superiores. Pas shkarkimit të trajnerit Renato Arapi, Teuta prezantoi dje Bledi Shkëmbin me teknikun 43-vjeçar që rikthehet tek durrsakët pas një aventurë në sezonin 2018-2019. Në drejtimin e seancës së parë stërvitore pas rikthimit, tekniku theksoi se skuadra duhet ta kaloj sa më shpejt momentin e vështirë ndërsa shtoi se pozitive është fakti se përpara ka kohë për të përmirësuar pikët dhe lojën. “Ku ka më mirë se të rikthehesh në një ambient që e njeh, kështu ndodh edhe me futbollistët dhe me trajnerin. Shpresoj t’ia shpërblej në mënyrën më të mirë tifozëve dhe presidentit. Me presidentin jemi në një mendje dhe ta ndryshojmë sa më shpejt këtë situatë, por për fat të mirë është vetëm fillimi dhe kemi kohë të rikuperojmë në pikë dhe lojë. Të fitojmë që këtë javë. Përballë Kukësit? Mendoj se nuk do të ketë ndeshje të lehta, sidomos përballë Kukësit që ka investuar. Ne duhet të bëjmë maksimumin në çdo ndeshje, pastaj bëjmë analizat. Mendoj që skuadra duhet të fitojë”, u shpreh Shkëmbi.

Nevojat e grupit

Trajneri Shkëmbi theksoi ndër të tjera se skuadra do të analizohet fillimisht e më pas do të dilet në konkluzione se për çfarë ka nevojë. Por ai kujtoi se gjëja e parë që duhet bërë është të motivohet grupi aktual për të marrë maksimumi nga përballjet e radhës. “Mendoj që në këto moment jemi në një mëndje që të ndryshojmë sa më shpejtë, ta kalojmë këtë situatë, që mendoj se nuk është shumë e mirë. Për fat të mirë është vetëm fillim dhe kemi kohë për t’u rikuperuar jo vetëm në lojë por dhe me pikë. Shpresoj që të fitojmë që këtë javë. Unë mendoj që skuadra ka nevojë të fitojë. Fitoret të sjellin qetësi dhe besim. Këtë gjë duhet ta bëjmë sa më shpejtë”, nënvizoi më tej Shkëmbi. Mbetet të provohet çfarë risish do të sjellë tekniku i ri. Shkëmbi shquhet si trajner inteligjent, por ai nuk është provuar me ekipe të mira. Përgjithësisht Shkëmbi është testuar me skuadra në pozitë të vështirë, por në këtë pikë ai ka fituar përvojë dhe mund të bëjë diferencën me durrsakët në sezonin aktual të Kategorisë Superiore.

PËRGJIGJU

Shkruani komentin tuaj
Vendosni emrin tuaj