Qeveria përkthen në projektligj përgjigjet e publikut nga Këshillimi Kombëtar për gjyqtarët e prokurorët që nuk e kanë kaluar vetingun. I miratuar me mbi 84 vota në 2016-n dhe i ndryshuar në 21-shin me votat e asaj që quhej opozita parlamentare, ligji për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve do të kalojë sërish në votë. Ja se çfarë propozojnë ndryshimet ligjore. Aktualisht një gjyqtar apo prokuror që kapet në shkelje pezullohet brenda 3 ditëve nga Këshilli i Lartë Gjyqësor ose Këshilli i Lartë i Prokurorisë. Ndryshimet ligjore propozojnë pezullim të menjëhershëm.“Këto ndryshime shërbejnë për ndaluar dëmin që mund të shkaktojnë brenda sistemit gjykatësit dhe prokurorët të cilët japin vendime flagrante që janë haptazi në kundërshtim me ligjin. Ka njerëz që thonë se gjyqtarët dhe prokurorët, që nuk kanë kaluar ende vetingun, duhet të pezullohen automatikisht nga sistemi i drejtësisë nëse vendimmarrjet e tyre janë haptazi në kundërshtim me ligjin. Ndryshimet e kryera përmes këtij projktligji nuk cënojnë apo prekin të drejtat procedurale që ligji u ka garantuar magjistratëve që janë subjekt i kërkesës për pezullim nga detyra, por ndikojnë vetëm në veprimtarinë e këshillave respektivë”, thuhet në projektligj. Ndërkohë, Këshillat e prokurorisë dhe gjyqësor, duhet të mblidhen menjëherë dhe jo pas tre ditësh siç është aktualisht, duke i lënë mundësi shkelësit të japë argumentet e tij apo të vazhdojë të thellojë shkeljen. Praktika ka treguar, thuhet në relacionin shoqërues të ligjit, se këshillat kanë pasur nevojë për hetim të thelluar derisa të vendosnin pezullimin. Hetimi kryhej nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë dhe mund të zgjaste dhe deri një vit. Kohë gjatë së cilës, prokurori apo gjyqtari i akuzuar për shkelje qëndronte në detyrë me mundësinë e abuzimit apo zhdukjes së dokumentacionit. Për të shmangur fenomene të tilla kërkohet ndryshimi i ligjit, i cili bëhet dhe me votat e opozitës. Gjatë periudhës së pezullimit megjithatë magjistratët, paguhen me 75 për qind të pagës.
74% e shqiptarëve pro dënimit të gjyqtarëve të korruptuar
Ndërkohë, kujtojmë se këtë radhë motiv i ndërhyrjes në ligj ka qenë opinioni i qytetarëve në procesin e këshillimit kombëtar, të cilët ishin pyetur nëse duheshin pezulluar nga detyra gjyqtarët dhe prokurorët që nuk kanë kaluar ende vetingun, por që kishin marrë vendime haptazi në kundërshtim me ligjin. E pikërisht për këtë kategori, ministria e drejtësisë propozon pezullim të menjëhershëm sapo Inspektori i Lartë i Drejtësisë, institucioni ku punojnë apo dhe vetë ministria paraqesin ankesë. 74 për qind e të anketuarve mendojnë se gjyqtarët duhet të pezullohen automatikisht nga sistemi i drejtësisë. Pyetja e Këshillimit Kombëtar nga ku u nis ky projektligj ishte: “Ka njerëz që thonë se gjyqtarët dhe prokurorët, që nuk kanë kaluar ende Vetingun, duhet të pezullohen automatikisht nga sistemi i drejtësisë nëse vendimmarrjet e tyre janë haptazi në kundërshtim me ligjin. Të tjerë thonë se pezullimi dhe përjashtimi nga sistemi duhet të kryhet sipas procedurave në fuqi. Si mendoni ju?”.






































