Kryeministri Edi Rama ka marrë një letër ndjese nga kompania ajrore e Lufthansës, pasi është zbritur nga avioni me të cilin do të udhëtonte drejt SHBA-ve.
Pas raportimit të medias gjermane Spiegel për shoqërimin e kryeministrit shqiptar në aeroportin gjerman, sipas të cilit incidenti kishte ndodhur për shkak të refuzimit të mbajtjes së maskës nga Rama, Drejtori i Agjencisë për Median dhe Informimin Endri Fuga tha se është një lajm i vjetër dhe se nuk ishte maska shkak për ngjarjen duke publikuar dhe letrën e ndjesës.
“Shkëlqesi,
në emër të Lufthansa German Airlines, kërkojmë ndjesë që ju dhe familja juaj jeni zbritur nga fluturimi LH442 i Lufthansa nga Frankfurt në Detroit më 3 dhjetor 2021 dhe na vjen thellësisht keq për çdo shqetësim që ka shkaktuar ky ndalim. Ne ju kërkojmë ndjesë veçanërisht juve dhe familjes suaj, nëse sjellja e disa anëtarëve të ekuipazhit u perceptua si e papërshtatshme dhe nuk u trajtua me ndjeshmërinë dhe maturinë e nevojshme”, thuhet në letrën e ndjesës nga Deutsche Lufthansa AG, Lufthansa Aviation Center.








































