Deputeti Erion Braçe, ka vijuar sulmet ndaj Ministrisë së Bujqësisë. Në një intervistë televizive, ai tha se bujqësia në këtë vend ende nuk ka zë dhe vëmendje, ndërsa shtoi se situata gjepolitike në rajon duhet të na shtynte drejt prodhimit vendas. Braçe tha, se do të zhvillojë një interpelancë me ministren e Bujqësisë në Kuvend, ku ndër të tjera tha se duhen burime shtesë për vaditje. “Bujqësia në këtë vend ende nuk ka zë, nuk ka vëmendje, ndërkohë që duhet të ishte krejtësisht e kundërta. Kjo situatë na solli në vëmendje se sa të varur jemi nga tregtia dhe duhet të kishim kthyer vëmendjen nga bujqësia në vend. Bujqësia kombëtare e mbajti vendin gjatë pandemisë. Situata e përdorimit të ushqimit si gjeopolitikë nga Rusia apo Serbia duhet të na shtynte drejt prodhimit vendas. Kam një interpelancë nesër, një për burimet natyrore dhe ujin për vaditje, dhe e dyta për çështjen e masave mbështetëse buxhetore të cilat për mua janë të kufizuara. Ne na duhet çdo gram prodhim i çdo fermeri. Çdo gram që na del nga çdo dynym tokë e punuar. Me ujin kemi një problematike shumë të madhe”, tha Braçe.
Braçe sulmon Autoritetin e Konkurrencës
Deputeti socialist Erion Braçe e ka cilësuar abuzive rritjen e çmimeve në treg në mënyrë të menjëhershme. Ai tha se ngritja e çmimit brenda pak orëve në unison me njëra-tjetrën e të gjitha kompanive, është tregues i qartë se tregu nuk ka transparencë dhe konkurrencë. Duket sikur Braçe i ka dhen një goditje të fortë kreut të Autoritetit të Konkurrencës, Denar Biba dhe Drejtorisë së Tatimeve. “Ka çaluar funksionimi i lirë dhe në konkurrencë i tregjeve. Simbol i mungesës ë transparencës dhe i konkurrencës. Tregu i karburanteve përbëhet nga 2 tipologji të ndryshme, një të kompanive të mëdha dhe ato të pikave të bardha që kanë emra të ndryshëm që janë jashtë ndikimi të drejtpërdrejtë të shitjeve me shumicë, por që për shkak të normave të fitimit, apo të shpenzimeve operacionale, kanë pasur çmim më të lirë se kompanitë e brenduara, atë ditë kanë qenë të gjithë në një nivel, duhet të ishin bërë pjesë e hetimit, të Tatimeve edhe nga Autoriteti i Konkurrencës . Pra në këtë aspekt institucionet nuk e kanë bërë detyrën, ka një abuzim të madh me marzhin e fitimit”, tha ai.
Nikolla refuzon kërkesën e opozitës
Ndërkohë, pritej që kryeministri Edi Rama të kishte përballjen me opozitën sot për çmimet e rritura dhe masat e qeverisë për të mbrojtur qytetarët. Por kjo nuk do të ndodhi në seancën e kësaj të enjteje. Kryetarja e Parlamentit, Lindita Nikolla nuk i ka pranuar kërkesat e opozitës për të futur me urgjencë në seancën e sotme, për situatën në vend, e diktuar nga çmimet e rritura. Një ditë më parë, grupi parlamentar i Partisë Demokratike i ka bërë kërkesë zyrtare kryeparlamentares për të zhvilluar një mocion me debat mbi situatën e çmimeve dhe reagimin e qeverisë, për të mbrojtur shtresat më në nevojë të shoqërisë. Edhe pse Rama prej ditësh po prezanton një paketë, grupi parlamentar demokratë vlerëson se masat e marra nga qeveria deri më tani nga qeveria duken krejt të pamjaftueshme për një situatë që çdo ditë e më shumë vështirësohet për mijëra familje që jetojnë në kufijtë e mbijetesës. Edhe Komisioni i Rithemelimit ka kërkuar interpelancë urgjente për seancën e sotme me kryeministrin Rama. As kjo kërkesë nuk është pranuar për t’u zhvilluar.








































