Teatri Kombëtar i rikthehet aktivitetit artistik online. Pak ditë më parë teatri njoftoi pezullimin e aktivitetit artistik në skenë për shkak të Covid-19, por të martën institucioni bëri me dije se do të vijojë me aktivitetin online. Përmes programit artistik online Teatri Kombëtar ashtu si dhe të tjerë institucione të artit në vend veproi edhe më parë po për shkak të pezullimit të aktivitetit në skena për shkak të pandemisë, por i rikthehet sërish. Teatri bën me dije se aktiviteti artistik online nis më datë 21 janar. “Të dashur miq, ndërkohë që shfaqjet tona janë shtyrë për një periudhë më të përshtatshme, për shkak të rasteve të evidentuara dhe të dyshuara me Covid-19, Teatri Kombëtar do të zhvillojë aktivitetet artistike online në faqen e tij zyrtare në Facebook këtë fundjavë”, bën me dije Teatri Kombëtar, që është dhe institucioni më i rëndësishëm teatror në vendin tonë, që për shkak të Covid-19 nuk vijoi dot me shfaqjen “Coriolanus” vepër e Shekspirit në janar në skenë. Në njoftimin e tij Teatri Kombëtar thotë më tej se deri në rikthimin e “Coriolanus” që erdhi në skenë me regji nga Altin Basha do të vijojë me programin artistik online në faqen e tij. “Deri në rikthimin e produksionit madhështor të Teatrit Kombëtar “Coriolanus”, ju ftojnë të ndiqni larmishmërinë e programeve tona online”, bën me dije institucioni për këtë vepër të Shekspirit, që shënoi më parë si premierë një sukses në teatër.
Programi artistik
Mbrëmjen e datës 21 janar programi artistik online i Teatrit Kombëtar do të vijojë me poezi nga autorë të njohur shqiptarë dhe të huaj, që do të jetë në orën 19:00 live në Facebook. Në këtë program artistik, i cili zhvillohet online sipas institucionit për shkak të Covid-19, do të jenë me lexime artistike dhe vepra që janë në “Netët e leximit të dramës shqipe”. Sipas teatrit, më datë 22 janar do të vijë një prej këtyre veprave teatrore. ““Duke Pritur Gobon” lexim artistik, 22 janar ora 19:00. Pjesë e projektit “Netët e leximit të dramës shqipe””, njofton institucioni mes të tjerave. Në këtë program ndërtuar online janë dhe pjesë nga cikli edukativ, që u zhvillua më parë në Teatrin Kombëtar. “Historia e dramaturgjisë shqiptare-nga prof. Josif Papagjoni. 23 janar ora 19:00, pjesë e ciklit edukativ – leksione për teatrin”, shkruan më tej teatri. “Duke pritur Gobon” është një vepër e autorit Armand Bora, që u dorëzua në teatër në “Netët e leximit të dramës shqipe” në edicionin e katërt. Në nëntor të vitit që lamë pas, regjisorë, aktorë dhe studiues u bënë bashkë dhe në “Leksione për Teatrin”, që u zhvillua nga Teatri Kombëtar te “ArTurbina”. Objektivi kryesor i këtij cikli që u zhvillua disa ditë ishte edukimi i brezave të rinj mbi historinë e teatrit shqiptar dhe atij botëror, si dhe njohjen me figurat që kanë kontribut në zhvillimin e tij. Studiues dhe kritik i teatrit Josif Papagjoni ligjëroi mbi temën “Regjisura në dramaturgjinë shqipe”, i cili është dhe në programin artistik online të teatrit.






































