Geri Kokalari akuza të forta Richard Grenell: Tentoi të priste në fyt kosovarët, ishte kukull dhe klloun i Trump

0
279

Aktivisti shqiptaro-amerikan, Geri Kokalari ka shpërthyer në akuza të forta në adresë të diplomatit amerikan, Richard Grenell. Ky i fundit ka shërbyer si ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Gjermani nga 2018 deri më 2020, shkurtimisht si Ushtrues i Detyrës së Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare (DNI) në Kabinetin Trump më 2020 dhe si i Dërguari Special i Presidentit për Negociatat e Paqes në Serbi dhe Kosovë. Asokohe zoti Grennell u akuzua se po investohej për të copëtuar kufij e Kosovës në favor të Serbisë, ndërkohë që sot që flasim ai është rreshtuar hapur krah Sali Berishës, teksa është shprehur se ish-kryeministri shqiptar është shpallur “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, pas lobimeve të multimilardierit Xhorxh Soros.

Kokalari: Grenell ishte klloun dhe kukull e Trump

Por për të mësuar më shumë rreth diplomatit Grennell, dje ka folur edhe aktivisti Geri Kokalari. Gjatë një interviste për emisionin “Fokus” të gazetarit Robert Papa, zoti Kokalari akuzoi fort ish-ambasadorin Richard Grenell, duke e cilësuar si kukull të ish-presidentit amerikan, Donald Trump. Sipas aktivistit Kokalari, Grenell tentoi të priste në fyt kosovarët, ndërsa theksoi se gjatë punës si diplomat ai u soll si klloun i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. “Një përjashtim nga ambasadorët në Gjermani, dikur Richard Holbrooke ishte ambasador në Gjermani. Unë e bashkova atë me shqiptaro-amerikanët. Pjesë historike e lobimit për Kosovën, Richard Grennell është si me qenë Lulzim Basha i Donald Trump, një kukull e vogël. Grennell është askushi, nuk është i respektuar këtu në SHBA. Si kreu i zbulimit Grenell nuk qe i kualifikuar për atë pune, desh të bënte një alla-Shverish duke prerë në fyt kosovarët. Donin një marrëveshje që t’i thoshte Trumpit bëra diçka. Richard Grennell është një shaka, është një klloun”, deklaroi ai.

Aktivisti: Ja pse në Shqipëri vijnë ambasadorët të dobët

Më tej aktivisti shqiptaro-amerikan, Geri Kokalari shpjegoi edhe arsyet se përse në Shqipëri Departamenti Amerikan i Shtetit sjell ambasadorë të dobët dhe të panjohur. Sipas tij, SHBA e përdor Shqipërinë si vend për të trajnuar ambasadorët, ndërkohë që diplomatët e mirë i dërgon në Angli apo në Gjermani. “Ambasadorët e rëndësishëm amerikane shkojnë në Gjermani, Britani. Nuk shkojnë për diplomatët e karrierës, shkojnë te të fuqishmit me para. Shiko kush i zënë ato poste. Shqipëria është një vend i vogël. Është si një vend ku i trajnojnë ambasadorët, e përdorin si tokë trajnimi. Nuk do shikoni kurrë një person influencal të marrë poste ne Shqipëri. Do jetë një diplomat karriere, nuk ka asnjë tregues për Amerikën. Skandaloz ishte Richard Grennell në Gjermani. Grennell ishte një diplomat amator”, nënvizoi aktivisti shqiptaro-amerikan, Geri Kokalari gjatë një interviste për emisionin “Fokus” të gazetarit Robert Papa. Kujtojmë që ish-kryeministri Berisha po lufton me mish e me shpirt që të heqë “non gratën” dhe në lojë ka futur ish-ambasadorin Richard Grenell për të fituar simpatinë e ish-presidentit Donald Trump. Ky i fundit lakohet se mund të garojë në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024 në SHBA dhe sondazhet e nxjerrin si fitues. Kështu që Berisha ka varur shpresat pikërisht tek zoti Grenell, që në rast se Trump rizgjidhet president, ai të mos ketë telashe nga amerikanët.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here