Skandali me tenderin e uniformave të policisë, vendoset gjykim i shkurtuar për zyrtarët e Ministrisë së Brendshme

0
183

Gjykata e Posaçme ka vendosur gjykim të shkurtuar për nëntë zyrtarët e Ministrisë së Brendshme të akuzuar për abuzime me tenderin e uniformave të policisë. Nga prokurorët në seancën e radhës do të paraqiten konkluzionet përfundimtare dhe gjykata do të japë vendimin më pas. Gjykimi me proces të shkurtuar i nëntë ish-zyrtarëve, u siguron atyre uljen e një të tretës të dënimit. Ditën e djeshme u zhvillua seanca e parë ndaj ish-zyrtarëve ndërsa seanca e radhës ku pritet të paraqiten konkluzionet përfundimtare dhe të kërkohen dënimet u la më 3 dhjetor. Ish-zyrtarët e Ministrisë së Brendshme akuzohen për shpërdorim detyre dhe shkelje të barazisë në tendera. Tetë prej tyre janë nën masën e sigurisë “Arrest me burg”, mes tyre dhe ish-drejtoresha e Agjencisë së Blerjeve të Përqendruara, E. Naqellari. Ndërsa A.Bogdani është hetuar nën masën “Arrest në shtëpi”.

Skandali me tenderin

Në korrik të këtij viti Prokuroria e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit arrestoi 9 zyrtarë dhe ish-zyrtarë të Ministrisë së Brendshme në lidhje me tenderin për uniformat e Policisë së Shtetit. Tenderi i uniformave i përket datës 11 maj 2020 me vlerë 2.8 miliardë lekë. “Nga aktet e administruara ka rezultuar se me datë 11.05.2020 në Agjencinë e Blerjeve të Përqendruara në Ministrinë e Brendshme është zhvilluar procedura e prokurimit për llogari të Autoritetit Kontraktor, Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit, me objekt “Blerje dhe shpërndarje e uniformave dhe këpucëve të Policisë së Shtetit”, për 4 vjet, me fond limit 2.800.347.570 (dy miliard e tetëqind milion e treqind e dyzet e shtatë mijë e pesëqind e shtatëdhjetë) lekë (pa TVSH)”, njoftoi SPAK. Nga hetimet rezultoi se ish-drejtoresha e Prokurimeve Publike ndryshoi çmimet, cilësinë dhe sasinë e uniformave të kërkuara nga policia. Gjithashtu rezultoi të ishte favorizuar dhe fituesi i tenderit. Pjesëmarrës në tenderin për uniformat kanë qenë dy kompani, një kompani turke dhe një kroate. Të dyja këto kompani janë skualifikuar nga gara. Ish-drejtoresha e prokurimeve, nga ajo që bëhet me dije nga hetimet, ka ushtruar presion ndaj anëtarëve të komisionit për të përjashtuar kompaninë turke dhe atë kroate nga gara për tenderin e uniformave. Përjashtimi i këtyre dy kompanive u bë në mënyrë që të zgjidhej fitues propozimi i bashkimit të 4 operatorëve ekonomikë. Bashkimi i katër operatorëve përbëhej nga 1 kompani shqiptare dhe tri kompani të huaja. Këto kompani u shpallën fituese të tenderit. Tenderi i uniformave ka nisur që në vitin 2019. Në korrik të vitit 2019 është pezulluar dhe më pas është rihapur në nëntor po të atij viti. Duke u përmbyllur në vitin 2020 me fitues bashkimin e katër operatorëve ekonomikë. Tenderi është mbajtur më 11 maj të vitit 2020 dhe sipas ligjit klasifikimi i fituesve duhet të bëhej pas 10 ditësh, por fituesi i tenderit të uniformave u publikua online pas dy muajsh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here