Ansambli Popullor në qytete të ndryshme me koncerte, tema patriotike e atdhetare në programin muzikor

0
189

Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore po udhëton në qytete të ndryshme për të festuar festat e flamurit, pavarësisë dhe çlirimit. Koncerti i parë u zhvillua në qytetin e Shkodrës më datë 25 nëntor, për të vijuar sot në Prizren në Pallatin e Kulturës, ku merr pjesë e ftuar dhe “Shkurte Fejza “Mjeshtre e Madhe”. Artistët e AKKVP do të jenë dhe në qytetin Vlorës për koncertin, që do të zhvillohet më datë 27 nëntor në sheshin e qendrës historike. Drejtori artistik Sokol Marsi shprehet se këto koncerte janë menduar me një program të pasur muzikor dhe zhvillohen paradite, që edhe publiku të festojë. “Në kuadër të Javës së Flamurit, Ansambli Popullor zhvillon koncerte në tre kryeqendrat e pavarësisë. Në Shkodër, Prizren dhe Vlorë. Koncertet janë në orën 11:00 të paradites për arsye se Ansambli Popullor këtë herë shkon në sheshe së bashku me publikun duke festuar”, u shpreh drejtori artistik Sokol Marsi pas koncertit, që u zhvillua në qytetin Shkodrës të enjten. Në lidhje me këto koncerte ai thotë se programi është menduar me frymën patriotike. Në qytetin e Shkodrës u zhvillua koncerti i parë të enjten, ku drejtori artistik Sokol Marsi thotë se u mirëprit. “Programi është ndërtuar me këngët dhe vallet më të bukura me tema patriotike dhe atdhetare. Merrnin pjesë grupi i valles, grupi koral, grupi polifonik dhe grupi “Artistët e së Ardhmes” pranë Ansamblit Popullor. Me ovacione u pritën në publik vallet “Festë e Madhe”, dhe “Vallja e Shqipeve”, si edhe këngët “Kaçaniku shkëmb e gurë” dhe kolazhi me këngë patriotike. Në fund të koncertit publiku u bë njësh me artistët, të cilët kërcyen së bashku si një trupë e tëra”, shprehet Sokol Marsi, drejtor artistik i Ansamblit Popullor.

Aktivitetet në vijim

 Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore po vijon aktivitetin e tij me koncerte të ndryshme për publikun. Drejtori artistik Sokol Marsi nën drejtimin e të cilit po zhvillohet një aktivitete i pasur muzikor thotë se do të ketë dhe koncerte të tjera në vijim nga Ansambli Popullor. “Në fundjavë do të jemi pjesë e koncertit “Rrok’e agimin” që bëhet në sallën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit me repertor të muzikës nga Lufta Nacional Çlirimtare. Por më pas do të vijojmë me koncertin në sheshin “Skënderbej” me “Artistët e së Ardhmes” dhe në fund do të jetë koncerti gala me rastin e Vitit të Ri të quajtur “Nga mot Gëzuar!”, tregon drejtori artistik Sokol Marsi. Ansambli Kombëtar i Këngëve e Valleve Popullore (AKKVP) është krijuar në vitin 1957, si ansambël profesionist. Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here