Debate edhe në PS, Rama përplaset me Braçen për buxhetin e ri, kryeministri e kritikon për komentet, deputeti reagon ashpër

0
274

Përveç se në PD, kanë nisur edhe në PS krisjet e para. Zgjedhjet e 25 prilli sollën mjaft pakënaqësi në PS dhe një ndër emrat që nuk i kanë fshehur pakënaqësitë ka qenë edhe deputeti i PS Erion Braçe. Deputeti Braçe, ka kritikuar buxhetin e ri të qeverisë, ndërsa dje është përplasur edhe me kryeministrin Edi Rama. Gjatë prezantimit të buxhetit të ri për bujqësinë për vitin 2022 ditën e djeshme, Rama nuk i kurseu ironitë në lidhje me kritikat që bëhen ndaj qeverisë sa i takon sektorit të bujqësisë, ndërsa iu përgjigj komenteve negative duke thënë se kush shkruan në Facebook se bujqësia ka marrë fund, është “out”, duke iu referuar kështu deputetit Erion Braçe, i cili ka qenë kritiku më i madh. “Atyre që nga smartphone-i bëjnë komente në Facebook që bujqësia ka marrë fund, fshati ka marrë fund, gjithçka ka marrë fund, u them që jeni “out” nuk dini se çfarë flisni. E kundërta është e vërtetë. Mjafton të shikojmë faktet dhe nuk ka nevojë të humbasim në shumë shifra. Mjaftojmë të shikojmë eksportet. Rritja e përvitshme e eksporteve bujqësore tregon vetë, nuk ka nevojë të diskutojë gjerë e gjatë. Eksportet bujqësore rriten sepse rritet prodhimi. Eksportet bujqësore rriten sepse rriten kapacitetet grumbulluese. Eksportet bujqësore rriten sepse rriten kapacitetet tregtuese të vendit”, tha Rama.

Brace i përgjigjet Ramës

Ndërkohë, ndaj kritikave të kryeministrit Edi Rama se fermerët janë keqinformuar dhe ndaj protestojnë iu është përgjigjur deputeti i PS-së Erion Braçe. Me anë të një postimi në rrjetet sociale, Braçe shkruan se nuk është keqinformuar dhe as nuk i ka keqinformuar fermerët. Sipas tij, me skemën aktuale të TVSH-së në bujqësi, humbet blerësi dhe për pasojë nuk ka interes të blejë prodhimin në vend. “Unë nuk keqinformohem! Unë nuk keqinformoj, as me qëllim politik, as me qëllim ekonomik apo përfitimi personal! Të gjithë kemi shqetësimin e prodhuesit, unë, ministrja, kryeministri. Por, shqetësimi nuk zgjidhet duke thelluar dëmin, pra duke thelluar humbjen e blerësit, shkatërruar interesin e tij për të blerë nga bujku, për pasojë prodhimin e pashitur nga bujku! Kërkohet barazimi i TVSH-së në blerje e në shitje si kudo në këtë vend, kudo jashtë këtij vend”, shkruan ai.

Rama flet për rimbursimin në bujqësi

Ndërkohë, kryeministri Edi Rama, u ndal edhe tek protesta e fermerëve në Lushnjë. Ai tha se protestat janë legjitime, ndërsa vijoi më tej duke shpjeguar edhe rimbursimin prej 6 për qind. “Protestat e fermerëve janë legjitime, por ata që kanë marrë pjesë në një masë të madhe janë të keqinformuar. Çfarë ka ndodhur, në fakt, është shumë e thjeshtë në shifra, dhe pse ne kemi vendosur ta heqim atë rimbursimin e 6 për qind dhe çfarë do bëjmë me atë masë parash që përdorej për rimbursimin, se këto janë pastaj të nevojshme për të kuptuar që është hedhur një hap përpara, jo mbrapa. Duke vendosur atë skemë të rimbursimit të 6 për qind, ne kemi synuar që përmes shfrytëzimit të kapacitetit logjistik të grumbulluesve, të çojmë paratë tek fermeri, në raport me prodhimin e grumbulluar, dhe shifra, në fund fare, ka rezultuar një shifër modeste”, tha ai.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here