Mançester Junajtid dhe Ronaldo përmbysin Atalantën, Juventusi dominon grupin H, Barcelona kthehet në “valle”

0
205

Gola dhe spektakël në Champions League. Një asist i Zhordi Albës, i shndërruar në gol nga Gerard Pike, në minutën e 36-të, i dha fitoren me vlerë tri pikë Barcelonës në mbrëmjen e djeshme në Kiev, një fitore shumë e rëndësishme në grupin E, ku rivalizon për kreun me Bajernin e Mynihut. Edhe pse me 3 pikë, katalanasit kanë shpresë të rikuperojnë për fazën finale të grupeve, pra për kualifikim, nëse fitojnë duelin direkt me Benfikën në xhiron e fundit. Ndërkohë, skuadra gjermane u përball në transfertë me Benfikën, në një duel jo të lehtë, por gjermanët shpërthyen në minutat e fundit dhe e fituan thellë atë 4-0. Leroi Sane shënoi për bavarezët në minutën e 70-të, më pas një autogol i portugezëve (80’), më tej i vjen radha Levandovskit (82’) e më tej sërish Sane në të 85’. Pas xhiros së tretë, Bajerni udhëheq me 9 pikë, ndjekur nga Benfika me 4 dhe Barcelona me 3 pikë. Kurse Dinamo e Kievit mbetet me 1 pikë. Në grupin F, kryendeshja ishte ajo mes Mançester Junajtid dhe Atalantës, një takim që dhuroi emocione të shumta, rivalitet të fortë dhe përmbysje rezultati. Në fillim ishin italianët që udhëhoqën 2-0 në pjesën e parë dhe po e fitonin takimin deri në minutën e 55-të kur shënoi Rashford, e më pas Meguajër. Kurse Kristiano Ronaldo ishte ai që e përmbysi Atalantën në minutën e 80-të me golin e tretë për anglezët. Kjo fitore, bëri që Junajtid të kapë kreun e renditjes me 6 pikë, po aq sa Atalanta që zbret e dyta. Po në grupin F, Vilareali e befasoi Jang Bojsin, në një duel direkt për vendin e tretë, ku fituan spanjollët me shifrat 4-1, kështu që Vilarëali shkon në 4 pikë e zviceranët mbeten me 3 pikë. Në grupin G, Salzburgu austriak fitoi ndaj Volfsburgut 3-1 dhe me këtë trepikësh mori kreun e renditjes me 7 pikë. Po në këtë grup, Lila franceze priti Seviljen, në një duel gati të barabartë, pa shumë temp ofensiv, si pasojë e lojës së kujdesshme. Barazuan 0-0, por spanjollët me 3 pikë mbajnë vendin e dytë. Në grupin H, ?elsi shkatërroi Malmon suedeze 4-0, por mbetet në vend të dytë me 6 pikë, pasi vendin e parë e mban të paprekur Juventusi, me 9 pikë të plota, pasi mundi 1-0 rusët e Zenitit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here