Një valë shkarkimesh ka përfshirë Bashkinë e Tiranës, në një moment kur përplasja politike mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Erion Veliaj po bëhet gjithnjë e më e ashpër.
I pari që ka humbur detyrën është Rigers Sheqeri, kryeinspektor i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT). Ai u bë i njohur pasi u shfaq me një shkop në dorë në hyrje të selisë së Partisë Socialiste, ku u përplas me protestuesit. Shkarkimi i tij është firmosur nga Erion Veliaj, i cili ndodhet në paraburgim në Fier.
Nga burgu, Veliaj ka firmosur edhe largimin e Zhaneta Beqirit, drejtoreshë e Përgjithshme e Kopshteve dhe Çerdheve. Motivacioni i dhënë për shkarkimin lidhet me shkelje të rënda dhe dëme ekonomiko-financiare.
Ndërkohë, në listën e zyrtarëve që pritet të largohen nga Bashkia e Tiranës është edhe Elona Lalaj, drejtoreshë e Policisë Bashkiake. Ajo nuk është shkarkuar ende, për shkak të procedurave ligjore, por ndaj saj Veliaj ka ngritur pretendime për vendosjen e gjobave të pajustifikuara dhe në kundërshtim me ligjin ndaj qytetarëve.
Emri i Lalajt është kthyer më herët në objekt të përplasjes mes Ramës dhe Veliajt. Gjatë Asamblesë së Partisë Socialiste për Tiranën, kryeministri pretendoi se kryebashkiaku e kishte larguar nga detyra për shkak se ajo nuk kishte pëlqyer dhe shpërndarë postimet e tij në rrjetet sociale.
Këto lëvizje në administratën vendore vijnë në një periudhë tensionesh të forta mes dy figurave të Partisë Socialiste. Veliaj, i cili mbahet në burgun e Fierit, ka pretenduar se është kërcënuar nga kryeministri Rama përmes ministrit të Drejtësisë, Toni Gogu.
Përplasja mes tyre ka marrë edhe dimensione të tjera politike, ndërsa një prej personave të prekur nga zhvillimet e fundit është edhe Plarent Ndreca, avokati i Veliajt, i cili është përjashtuar nga Partia Socialiste.







































