Google search engine
Home Politike Edi Rama përmbys PS-në e Tiranës: Pushteti zhvendoset në periferi

Edi Rama përmbys PS-në e Tiranës: Pushteti zhvendoset në periferi

0
10

Përtej fjalimit të fortë që Edi Rama mbajti në Asamblenë e PS-së së Tiranës, të paralajmëruar nga “Pamfleti” një javë më parë, burimet zbulojnë edhe skemën e re të organizimit socialist në kryeqytet. Rama ka përmbysur strukturën e vjetër dhe ka zhvendosur qendrën e gravitetit elektoral nga Tirana tradicionale drejt periferive.

Kryeministri u ka bërë të ditur anëtarëve të Asamblesë se gjeografia njerëzore e kryeqytetit nuk i ngjan më as Tiranës që drejtoi ai, as “Tiranës së Lali Erit”. Qyteti i sotëm ngjan më shumë me Londrën dhe Parisin modern, ku periferitë me popullsi të dendur përcaktojnë gjithnjë e më shumë rezultatin elektoral.

Rama ka sjellë si shembull edhe disa qytete amerikane, ku kandidatë jashtë elitave tradicionale, të dalë nga periferitë, siguruan rezultate të forta në zgjedhjet e mesmandatit. Sipas tij, njësitë e vjetra të Tiranës kanë humbur një pjesë të peshës së dikurshme, ndërsa zonat e lëna pas dore nga bashkia përmbledhin sot numrin më të madh të banorëve dhe zgjedhësve.

Qendrat e reja nevralgjike të betejës elektorale janë Njësia 13, që përfshin Astirin, Yzberishtin dhe Kasharin, si dhe zona e Freskut. Edhe kodrat periferike, ku janë ngritur komplekse rezidenciale për shtresat e pasura, kanë krijuar një realitet të ri elektoral. Në këto territore jetojnë dhe punojnë mijëra qytetarë që u shërbejnë zonave rezidenciale dhe bizneseve përreth.

Skema e re shkrin praktikisht hierarkinë e vjetër të PS-së së Tiranës, ku peshën kryesore e mbanin drejtuesit e njësive 5, 2 dhe 7. Këto njësi kanë humbur pozicionin e dikurshëm. Njësia 7 ka pësuar rënien më të fortë, ndërsa Njësia 5 ka ndryshuar tërësisht përbërjen elektorale me zgjerimin drejt Liqenit të Thatë dhe zonave të reja të banimit. Rezultatet e fundit treguan se në këtë territor është rritur ndjeshëm një elektorat që strukturat socialiste nuk e kontrollojnë më.

Rama kërkon ta kthejë periferinë në epiqendrën e re të PS-së. Aty jeton pjesa më e madhe e shtresës së mesme dhe asaj me të ardhura të ulëta, e ardhur nga të gjitha qarqet e vendit, veçanërisht nga zonat e jugut.

Për këtë arsye, Rama ka sjellë Ervin Demon në drejtimin politik të Tiranës. Demo përfaqëson një nivel të lartë të administrimit socialist, por ruan edhe lidhje me këtë pjesë të kryeqytetit. Kryeministri i ka ngarkuar atij peshën kryesore të ringritjes së organizatave dhe të rikthimit të pranisë së PS-së në territoret periferike.

Albana Koçiu do të kujdeset për njësitë tradicionale të kryeqytetit. Edi Rama, ndërkaq, ka bërë të qartë se drejtimin real politik të PS-së së Tiranës do ta mbajë vetë, duke përdorur edhe mandatin e deputetit që mori në qarkun e kryeqytetit më 11 maj 2025.

Rama do ta dublojë Koçiun në ringritjen e strukturave të dëmtuara nga lufta e brendshme, kryesisht në njësitë 7, 2 dhe 5. Këto struktura u përfshinë në përplasjet që shkaktuan shkarkimet e përsëritura të Erion Veliajt.

Mesazhi i Ramës ka qenë i prerë. Të gjithë ata që u përfshinë në luftën e brendshme dhe përdorën strukturat socialiste për llogari të konfliktit në Bashkinë e Tiranës nuk do të kenë më vend në PS. Kryeministri nuk po ndryshon vetëm emrat. Ai po ndërton një hartë të re pushteti, ku periferia zë vendin që dikur e mbante Tirana e vjetër.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here