Agjencia e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA) është vënë sërish në qendër të akuzave për keqpërdorimin e kompetencave shtetërore dhe përdorimin e shërbimit sekret për të ndjekur gazetarë, aktivistë dhe kundërshtarë politikë gjatë pushtetit të Aleksandar Vuçiçit. Një hulumtim i revistës serbe “Radar” zbulon se BIA, nën drejtimin e ish-shefit Aleksandar Vulin, kishte vendosur masa përgjimi dhe mbikëqyrjeje sekrete ndaj pesë kritikëve të pushtetit në qytetin e Çaçakut, në Serbinë qendrore.
Në mesin e personave të përgjuar ishin pronari dhe redaktori i portalit “Ozon Press”, Stojan Markoviç; gazetarja dhe themeluesja e Qendrës për Monitorim dhe Aktivizëm (CEMA), Svetlana Kojanoviç; gazetari i “Ozon Press” dhe TV Nova, Nebojsha Jovanoviç; aktivistja ekologjike Ljiljana Braloviç dhe Kristina Millosheviç, drejtuese e organizatës “Mladi Milanovac”. Sipas dokumenteve të siguruara nga “Radar”, BIA kishte paraqitur kërkesën e parë për përgjim më 9 dhjetor 2022, pak kohë pasi Vulin kishte marrë drejtimin e shërbimit sekret. Më 14 dhjetor, kryetari i atëhershëm i Gjykatës së Lartë në Beograd, Aleksandar Stepanoviç, kishte nënshkruar urdhrin për zbatimin e masave të mbikëqyrjes.
Në arsyetimin e saj, BIA i akuzonte pesë personat për veprimtari kundër sigurisë së Serbisë dhe aktivitete subversive. Dokumentet pretendonin gjithashtu se ata po mblidhnin informacione për SHBA-në dhe Britaninë e Madhe, pa paraqitur prova për këto akuza. Përgjimi nuk kufizohej vetëm te komunikimet telefonike. BIA kishte kërkuar autorizim për vendosjen e pajisjeve teknike në ambientet e mediave dhe organizatave ku punonin personat, në lokale, hotele dhe hapësira të tjera publike në Çaçak, Uzhiçe, Kragujevc dhe Beograd. Masat përfshinin përgjimin dhe regjistrimin e komunikimeve, mbikëqyrjen e ambienteve të punës dhe qasjen në pajisjet ku ruheshin të dhënat elektronike.
Ato ishin vazhduar edhe tri herë gjatë vitit 2023, në muajt mars, qershor dhe shtator. Në njërën prej kërkesave, BIA pretendonte se disa prej personave po përpiqeshin të zgjeronin ndikimin e tyre mediatik dhe të shfrytëzonin pakënaqësinë qytetare për të krijuar një alternativë politike opozitare në Çaçak dhe për të marrë pushtetin lokal. Sipas “Radar”, informacionet e mbledhura përmes përgjimit ishin përdorur më pas në fushata publike kundër këtyre personave, ku kishin marrë pjesë përfaqësues të pushtetit dhe vetë presidenti Aleksandar Vuçiç.
Gazetarët dhe aktivistët: Na trajtuan si armiq të shtetit
Personat e përgjuar kanë rrëfyer për “Radar” për përvojën e tyre dhe pasojat e mbikëqyrjes në jetën private e profesionale. Svetlana Kojanoviç tha se dyshimet për përgjim ishin shtuar pas nisjes së projektit “Zëri i Përbashkët”, ku merrnin pjesë media të pavarura, grupe prodhuese dhe organizata të shoqërisë civile nga Serbia perëndimore. Sipas saj, paralelisht me aktivitetet e tyre kishte nisur një fushatë kundër tyre në mediat pranë pushtetit dhe në rrjetet sociale, ku ishte përfshirë edhe Vuçiçi.
Ajo tha se mbikëqyrja kishte prekur edhe familjarët dhe bashkëpunëtorët e tyre. Edhe Kristina Millosheviç deklaroi se ishte tronditur kur kishte parë dokumentet që konfirmonin se ishte nën përgjim që nga dhjetori i vitit 2022. Ajo bëri të ditur se në mbikëqyrje ishte përfshirë edhe bashkëshorti i saj. Pronari dhe redaktori i “Ozon Press”, Stojan Markoviç, e cilësoi përgjimin e gazetarëve, qytetarëve dhe kundërshtarëve politikë si një praktikë të përsëritur të keqpërdorimit të burimeve shtetërore. Ndërsa Ljiljana Braloviç tha se nuk ishte befasuar nga zbulimi i përgjimit, por kishte frikë nga ajo që mund të ndodhte.
“Çdo gjë që mund të dëgjonin nga unë duke më përgjuar, mund ta dëgjonin edhe në takime publike. Mendoj se ia dolëm mirë, mund të kishim përfunduar në Danub ose diku në Ritopek”, deklaroi ajo për “Radar”. Hulumtimi ngre gjithashtu pikëpyetje për ndërhyrjen e politikës në strukturat e BIA-s. Sipas revistës, drejtuesit e shërbimit sekret të emëruar nga Vuçiçi kishin lidhje të drejtpërdrejta me pushtetin partiak. Për të shmangur kufizimet ligjore për angazhimin e politikanëve në BIA, ishte përdorur praktika e ashtuquajtur e “ngrirjes së funksioneve partiake”.
Nga përgjimi i kundërshtarëve në Serbi te operacionet e dyshuara në Kosovë
Akuzat për veprimtarinë e BIA-s marrin një tjetër dimension në Kosovë, ku Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Fatmir Shehollit për spiunazh, duke e lidhur atë me një operacion të dyshuar të shërbimit sekret serb. Sipas aktakuzës, Sheholli dyshohet se kishte bashkëpunuar me zyrtarin e BIA-s, Bojan Dimiç, për sigurimin dhe publikimin e materialeve të përgjimeve ndaj zyrtarëve të Ministrisë për Komunitete dhe Kthim, të drejtuar nga Nenad Rashiq. Materialet përmbanin biseda të zyrtarëve të kësaj ministrie dhe, sipas Prokurorisë, ishin siguruar nga BIA për t’u përdorur në një fushatë diskredituese kundër Rashiqit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Sheholli dyshohet se kishte marrë 5 mijë euro nga BIA për këtë veprimtari, ndërsa materialet ia kishte përcjellë gazetarit Milaim Zeka, së bashku me 1 mijë euro për publikimin e tyre në emisionin “Pa Rrotlla”.
Publikimi ishte bërë më 30 shtator 2025, vetëm pak ditë para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit. Sipas Prokurorisë, koha dhe përmbajtja e materialeve ishin pjesë e një plani për të dëmtuar politikisht Nenad Rashiqin dhe për të ndikuar në zhvillimet politike në komunat me shumicë serbe. Në këtë rast, Prokuroria e lidh veprimtarinë e dyshuar drejtpërdrejt me zyrtarin e BIA-s, Bojan Dimiç, i cili, sipas aktakuzës, kishte komunikuar me Shehollin për koordinimin e publikimit dhe shpërndarjen e materialeve.
Një tjetër rast që ngre dyshime për shtrirjen e ndikimit të BIA-s në Kosovë është ai i Fehim Salit, i arrestuar nën dyshimin për spiunazh. Sipas një audioincizimi të publikuar nga KOHA, Sali, në komunikim me zyrtarin e BIA-s, Zhelimir Matoviç, fliste për listat e votuesve nga komuniteti goran dhe personat që refuzonin të votonin presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe partinë e tij, SNS. Në të njëjtën bisedë, ai dëgjohet duke sugjeruar përdorimin e presionit dhe madje të forcës për të siguruar votat. Sali dyshohet se kishte mbledhur nënshkrime dhe vota për SNS-në përmes organizatës së tij, “Moja Gora”.
Rasti ngre dyshime se aktiviteti i BIA-s nuk kufizohej vetëm në mbledhjen e informacioneve, por përfshinte edhe përpjekje për të ndikuar drejtpërdrejt në vullnetin politik të qytetarëve në Kosovë, në funksion të interesave elektorale të pushtetit në Beograd. Dokumentet e publikuara nga “Radar” për përgjimin e pesë kritikëve në Serbi dhe aktakuza ndaj Shehollit në Kosovë rikthejnë në vëmendje akuzat për përdorimin e strukturave të shërbimit sekret serb kundër gazetarëve, aktivistëve dhe kundërshtarëve politikë, në funksion të interesave të pushtetit të Aleksandar Vuçiçit.










































