Vetingu/Kush ka pasuri 2-fish më të lartë se të ardhurat largohet, verifikim deri në nivel krushqie e miqësie, ja drafti i PD

0
143

Zbardhet drafti i Partisë Demokratike për ndryshimet kushtetuese. PD sot do të dorëzojë në Kuvend kërkesën për të ndërhyrë në disa nene, të cilët do të sjellin veting në politikë, ndryshim të hartës territoriale dhe reformë zgjedhore. Por nëse i shkohet deri në fund propozimit për vetingun në politikë, një pjesë e madhe pushtetarëve do e gjejnë veten jashtë. PD ka futur një sërë përcaktimesh të forta, të cila prekin shumë emra të rëndësishëm të politikës. Personat që do të futen në veting janë: Deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Kryeministri dhe ministrat, Presidenti i Republikës, kryetari i bashkisë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit, Avokati i Popullit dhe Drejtori i Shërbimit Informativ të Shtetit. Por ashtu siç ndodh me vetingun në drejtësi, PD ka kërkuar që të ketë një skaner të imët të familjarëve dhe personave të afërt të politikanëve. Duke qenë se zakonisht pasuritë janë në emër të të afërmve, në draft theksohet se verifikimi mund të shkojë te dhëndurët dhe deri te lidhjet farefisnore. “Kontrollit i nënshtrohen edhe personat e lidhur me funksionarin publik të përmendur në pikën 1, ku përfshihen bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, fëmijët në moshë madhore, si dhe çdo person tjetër i përbërjes familjare të këtyre funksionarëve. Në rastet e përcaktuara nga ligji, kontrollit i nënshtrohen edhe persona të tjerë të lidhur me funksionarin publik ku përfshihen bashkëshortët e fëmijëve në moshë madhore, vëllezërit dhe motrat dhe bashkëshortët e tyre, personat me miqësi të njohur apo lidhje familjare me funksionarin publik, një zyrtar apo person tjetër me lidhje varësie, qoftë edhe të tërthortë, për shkak të funksionit publik me funksionarin në fjalë, si dhe çdo person fizik apo juridik me të cilin zyrtari ka pasur ose ka marrëdhënie interesi të çfarëdo lloji”, thuhet në draft.

Verifikimi i pasurisë

Sipas PD, vetingu do fokusohet te dy komponentë, ai i kontrollit të figurës dhe ai i pasurisë. Teksa për figurën mund të jenë disa emra që preken, te pasuria rrezikojnë të ngelin pjesa dërrmuese. PD kërkon që kush ka pasuri dyfish më të madhe se të gjithë të ardhurat largohet nga funksioni. “Funksionari publik dorëzon një deklaratë të re dhe të detajuar të pasurisë në përputhje me ligjin për efekt të kontrollit të integritetit. Funksionari publik duhet të shpjegojë burimin e ligjshëm të pasurive dhe të të ardhurave. Nëse funksionari publik ka një pasuri më të madhe se dyfishi i pasurisë së ligjshme, ai konsiderohet se disponon pasuri të pajustifikuar ligjërisht dhe ndaj tij zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra, dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën”, thuhet në draft. Në Parlament dhe politikë ka emra që kanë 30 vite që mbajnë vetëm poste deputeti apo ministri dhe kanë pasuri miliona euro. Me këtë përcaktim ata mund të përjashtohen.

Kontrolli i figurës

Edhe kontrolli i pastërtisë së figurës do të bëhet si në vetingun e drejtësisë. Politikanët do të plotësojnë një formular ku do të deklarojnë nëse janë të dënuar apo kanë pasur lidhje me persona të dënuar. “Funksionari publik dorëzon një deklaratë dhe i nënshtrohen një kontrolli të figurës, me qëllim identifikimin e atyre që kanë kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar. Kontrolli i figurës për lidhje me personat e përfshirë në krimin e organizuar bazohet në deklaratën për figurën dhe prova të tjera, përfshirë vendimet e gjykatave shqiptare ose të huaja. Deklarata mund të përdoret si provë vetëm në këtë proces dhe në asnjë rast gjatë një procesi penal. Funksionarët publikë plotësojnë dhe i dorëzojnë SPAK një deklaratë të detajuar për figurën e tyre që mbulon një periudhë 10 vjet përpara deri më datën e deklarimit, sipas ligjit. Deklarata mund të përdoret si provë vetëm në këtë proces dhe në asnjë rast gjatë një procesi penal. Nëse funksionari publik ka kontakte të papërshtatshme me persona të përfshirë në krimin e organizuar zbatohet prezumimi në favor të masës së ndalimit për t’u zgjedhur apo emëruar në funksionin publik, mbarimit të mandatit apo shkarkimit nga detyra dhe subjekti ka detyrimin të provojë të kundërtën”, thuhet më tej.

Kontrolli kryhet nga SPAK

Duke qenë se Komisioni i Venecias në 2018 e rrëzoi një ide të tillë, PD ka reflektuar duke kërkuar që vetingu të mos bëhet nga vetë politika, por nga Prokuroria e Posaçme. Sipas draftit, pranë SPAK ngrihet Sektori i Luftës ndaj Korrupsionit dhe garantimit të integritetit në radhët e funksionarëve të lartë shtetërorë, që përbëhet nga 6 prokurorë të SPAK, të zgjedhur me short çdo 3 vjet. Shqyrtimi i çështjes së një funksionari publik për kontrollin e integritetit shqyrtohet nga një Kolegj Vlerësimi i përbërë nga 3 prokurorë nga Sektori i Luftës ndaj Korrupsionit dhe garantimit të integritetit në radhët e funksionarëve të lartë shtetërore, të caktuar rast pas rasti me short.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here