Premiera “Domino në Burgator”, Armand Bora: Historia zhvillohet në periudhën pas rrëzimit të sistemit komunist

0
211

“Domino në Burgator” është vepra e parë teatrore, në sezonin artistik të Teatrit Kombëtar Eksperimental “Kujtim Spahivogli”. Shkruar dhe me regji nga Armand Bora vjen me interpretimin e tre aktorëve të njohur të teatrit. Me “Domino në Burgator” vjen një histori që mban të lidhur mes xhelozisë, tradhtisë, urrejtjes, faljes dhe hakmarrjes fatin e tre personazheve. Interpretojnë në role aktorët Xhevat Limani, Rozi Kostani dhe Alfred Trebicka. Vepra është pjesë nga triologjia “Të mbijetuar” dhe regjisori Armand Bora tregon se historia zhvillohet në periudhën pas ‘90. “Si pjesë e triologjisë “Të mbijetuar” edhe kjo vepër trajton një temë të marrë nga periudha e komunizmit. Për të hedhur në diskutim idenë, që keqja e atij sistemi nuk fillon dhe mbaron me emrin e diktatorit. “Domino në Burgator” përpiqet të sjellë idenë që një sistem i keq krijon mundësinë e abuzimit dhe shpërfaqjen e komplekseve njerëzore. Historia zhvillohet në periudhën pas rrëzimit të sistemit komunist, ku në përpjekje për të qetësuar plagë dhe dyshime të vjetra një ish hetues vihet përballe ish viktimës së tij”, tregon autori dhe regjisori i njohur Armand Bora. Vepra shënoi mbrëmë premierën në skenë dhe regjisori Bora tregon se historia vjen dhe zhvillohet në një mënyrë të tillë, ku tregohet se diktatura u bë edhe më e egër dhe çnjerëzore. “Në shërbim të saj kishte personazhe, të cilët vuanin komplekse dhe dyshime të forta”, tregon autori Bora.

Bashkëpunimi me aktorët

Sezoni artistik në Teatrin Kombëtar Eksperimental filloi me premierën “Domino në Burgator”, që do të vijojë dhe në datat 11 dhe 12 shtator për publikun. Regjisori Armand Bora tregon më tej se bashkëpunimi me tre aktoret është edhe vazhdim i pjesës së parë të triologjisë” Ata hyjnë pa trokitur”, me aktorët Alfred Trebicka dhe Rozi Kostani, por edhe një eksperiencë e re me Xhevat Limanin, një aktor që vjen me një karrierë skenike të realizuar në teatrin shqiptar të Shkupit. “Padyshim që kombinimi i eksperiencave të ndryshme i ka dhënë shfaqjes një dimension ndryshe. Jo vetëm eksperienca skenike, por edhe ajo jetësore e Xhevat Limanit ishte një pasurim për shfaqjen, pasi edhe jeta në ish Jugosllavine kishte pika dhe momente që janë të përbashkëta me atë periudhë të diktaturës në Shqipëri”, shprehet regjisori. “Domino në Burgator” ka pasur vetëm një premierë të realizuar me parë pranë Universitetit Europian, ku pas shfaqjes regjisori Armand Bora tregon se u organizua një debat diskutim me stafin akademik dhe studentët. “Kjo javë është fillimi i vërtetë i kontaktit të shfaqjes me publikun dhe unë mendoj se pas kësaj periudhe pandemie do të ketë një interes për ta ndjekur jo vetëm këtë shfaqje, por edhe të tjera shfaqje”, thotë regjisori. Si regjisor Armand Bora shpjegon se produksioni është i lehtë dhe pa shumë ngarkesa në dekore. Kjo sipas tij krijon mundësinë për të organizuar turne në qytete të tjera të Shqipërisë dhe vende të tjera në rajon dhe Europë.


LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here