Google search engine
Home Politike Drejtesi Plas konflikti mes institucioneve të drejtësisë, KPA ankohet te amerikanët: Hetimet dhe...

Plas konflikti mes institucioneve të drejtësisë, KPA ankohet te amerikanët: Hetimet dhe gjyqet për Luan Dacin e Ardian Hajdarin po pengojnë punën

0
264

Shpërthejnë konfliktet mes institucioneve të drejtësisë. Kryetarja e Kolegjit të Posaçëm të Apelit, Albana Shtylla i është drejtuar me një shkresë ambasadës amerikane dhe misionit të OPDAT ku ka ngritur një sërë shqetësimesh lidhur me proceset penale për dy anëtarë të KPA. Luan Daci u dënua nga gjykata për falsifikim të dokumenteve. Ky i fundit iu drejtua Gjykatës së Lartë ku ka ankimuar vendimin. Nga ana tjetër ka nisur një hetim ndaj anëtarit Ardian Hajdari pasi një padi është bërë kundër tij për falsifikim dokumentesh. Por zgjatja e procesit gjyqësor për Luan Dacin dhe zgjatja e hetimeve për Ardian Hajdarin shihen nga KPA si një pengesë për funksionimin e plotë të institucionit. Në letrën drejtuar ambasadës, Shtylla shprehet se nuk janë respektuar afatet proceduriale. “Për gjyqtar Luan Dacin tashmë ka një vendim të Gjykatës së Posaçme të Apelit kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Gjyqtarët e Kolegjit nëpërmjet kësaj shkrese shprehin shqetësimin për një gjykim të rekursit të paraqitur prej gjyqtar Dacit, brenda afateve të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, si dhe në përputhje me këto dispozita ligjore proceduriale dhe parimet e procesit të rregullt ligjor. Gjyqtar Ardian Hajdari, në muajin korrik të këtij viti është njoftuar nga (SPAK) që ndaj tij ka pasur një kallëzim penal, për të cilin kjo prokurori ka regjistruar procedim penal, por pa i atribuuar ende këtij regjistrimi një emër konkret”, thuhet në letrën e KPA.

KPA, ankesë për afatet proceduriale

Kreu i KPA, Albana Shtylla kërkoi që të garantohen të drejtat proceduriale si dhe të kryhet një proces i drejtë dhe i shpejtë. Sipas KPA kjo kërkesë paraqitet me qëllim që të mos pengohet aktiviteti i institucionit dhe funksionaliteti i saj. “Nëpërmjet shprehjes së këtij shqetësimi, kërkojmë të sjellim në vëmendjen tuaj, duke respektuar plotësisht pavarësinë dhe paanësinë në ushtrimin e detyrave dhe vendimmarrjet tuaja, që gjatë procedurave për trajtimin e këtyre kallëzimeve dhe procedimeve penale nga SPAK, apo gjatë gjykimit të tyre në të gjitha shkallët e gjyqësorit përfshirë edhe Gjykatën e Lartë, të garantohen, të drejtat procedurale, zbatimi i afateve proceduriale, transparenca në përputhje me parashikimet ligjore, si dhe efikasiteti për kryerjen e një procesi të drejtë dhe të shpejtë, me qëllim që të mos pengohet veprimtaria dhe mos cënohet funksionaliteti i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit dhe i procesit të rivlerësimit. Gjyqtarët e Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të ndërgjegjshëm dhe të përgjegjshëm për respektimin e të gjitha parashikimeve kushtetuese dhe ligjore që lidhen me të drejtat dhe detyrat e tyre, kërkojnë nëpërmjet kësaj shkrese mbajtjen në konsideratë të shqetësimeve të sipërpërmendura, për t’iu përgjigjur së bashku sfidave të zbatimit të reformës në drejtësi”, thuhet në letrën e KPA.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here