“Kapterr Behari” shkruar dhe me regji nga Stefan Çapaliku është produksioni më i ri i teatrit Metropol. Premiera këtë mbrëmje vjen për publikun nën interpretimin e aktorëve Ervin Bejleri, Naun Shundi dhe Enisa Hysa. Premiera do të jetë në skenën teatrore në datat 9, 10,11 dhe 12 shtator. Stefan Çapaliku është i njohur me veprat e tij në teatër dhe këtë herë vjen me “Kapterr Behari”, ku teatri i Metropolit shprehet se premiera është pjesë e festivalit “Adriatik” që ka nisur në Tiranë. “Kapterr Behari” ngjitet sonte në skenë dhe teatri Metropol shkruan se është drama që merret eskluzivisht me mënyrën e fabrikimit të jetëve paralele, të fshehta të krijuara te njerëzit e diktaturës. Skenografia është nga Beqo Nanaj, muzika Andi Kongo, kostumografia Frenc Gjerasi dhe koreografia Prek Memaj. Asistent regjisor është Xhino Musollari. Teatri shpjegon se shfaqja ka karakter koncertor, në kuptimin e dy sjelljeve estetike të artistëve në skenë. “Më së pari aktorët luajnë mbi parimet e teatrit epik, duke treguar se kush janë dhe çfarë duan, pra sipas parimeve të Breht. Së dyti ato do komportohen mbi parimet e përfshirjes në ngjarje dhe në rrethanë, mbi parimet e teatrit të Stanisllavskit. Të dyja këto sjellje estetike përmblidhen në një shfaqje minimaliste. Minimalizmi nuk do rrëfehet vetëm në skenografi dhe kostumografi, por edhe në stilin interpretativ. Kjo estetikë e bën shfaqjen kompakte dhe ekspresive”, thuhet në material për premierën. Muzika gjithashtu së bashku me elementet e tjerë të zërit do prodhohet live dhe do përbëjë një aksion të fortë skenik.
Ngjarjet dhe personazhet
Kapterr Behari, përgjegjës për mbarëvajtjen e agjitpropit në burgun e Burrelit i lexon çdo ditë me altoparlant të burgosurve politikë librat e Enver Hoxhës dhe gazetat e ditës. Ndërkaq Pjetri, një i burgosur veteran, i dënuar me 25 vjet burg, ngarkohet herë pas here nga komandanti i burgut të përkthejë materiale top secret për llogari të Komitetit Qendror të Partisë. Për të bërë këtë punë atij i lirohet njëra nga tre qelitë e burgut. I vihet në dispozicion një makinë shkrimi dhe një tufë me letra. Liza, banakierja e klubit të qendrës së qytetit, e pamartuar dhe në sytë e të gjithë meshkujve të qytetit, ngacmon seksualisht kapterr Beharin. Kapterr Behari, kurioz se çfarë është duke përkthyer Pjetri bie në grackën e subjektit romantik të shënimeve të konsullit britanik në Tiranë. Prej asaj kohe toger Behari nis ta përjetojë me mish e me shpirt historinë librore dhe në të njëjtën kohë fillon një jetë paralele, duke u përpjekur që personazhin femëror të shënimeve të konsullit ta projektojë te figura e Lizës. Që prej asaj dite vizitat e kapterr Beharit në qelinë e Pjetrit shpeshtohen aq shumë sa bien në sy edhe të autoriteteve të burgut. Po kështu limitohet koha e leximit të veprave të Enver Hoxhës dhe literaturës tjetër politike. Prej kësaj presioni rritet. kapterr Behari nuk ia del dot ta përballojë represionin dhe një natë vendos të vetëvritet.








































