Google search engine
Home Politike Zbardhen negociatat mes Dukës, Mediut, Dules dhe Shehit, ja si aleatët e...

Zbardhen negociatat mes Dukës, Mediut, Dules dhe Shehit, ja si aleatët e PD pritet të krijojnë grup parlamentar më vete, Idrizi-Kryemadhi jashtë loje

0
313

Aleatët tradicionalë të Partisë Demokratike kanë nisur tentativat për të krijuar një grup parlamentar më vete. Ashtu si dhe në 8 vitet e fundit edhe ky Parlament do të kontrollohet nga socialistët që fituan një mandat të tretë radhazi, si kurrë më parë për një forcë politike në 30 vite pluralizëm. Socialistët do të kenë 74 nga 140 vendet e Parlamentit, ndërkohë që opozita e drejtuar nga PD do të këtë 59 deputetë. Por Partia Demokratike në listat e saj në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit futi edhe aleatët, ku krerët e saj arritën që të dilnin deputetë. Mirëpo, ndryshe nga herët e tjera, këto parti, nuk do të kenë grup të tyre parlamentar, për shkak se respektivisht kanë vetëm nga një mandat. Në këto kushte duket se kryetarët e partive që garuan në një listë me PD-në në zgjedhjet e 25 prillit, kanë nisur të takohen më vete për të gjetur dakordësinë për të formuar grupin e tyre parlamentar. Gazeta “SOT”, mësoi dje se kreu i Partisë Agrare Ambientaliste, Agron Duka dhe kreu i Lëvizjes për Zhvillim Kombëtar, Dashamir Shehi janë takuar për të vendosur mbi të ardhmen e tyre politike në Parlament, ndërkohë që mungonin kreu i Partisë Republikane, Fatmir Mediu dhe kreu i PBDNJ, Vangjel Dule. Mësohet se në fokus të takimit të djeshëm ka qenë hedhja e piketave, në mënyrë që këto katër parti të grupohen në një grup më vete parlamentar. Sipas rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, për të krijuar një grup parlamentar, duhen të paktën 7 deputetë në përbërje. Mirëpo, aktualisht aleatët kanë vetëm 4 mandate që janë kryetarët. Kështu që duhen edhe tre deputetë që të lindë grupi parlamentar. Por burime nga aleatët i pohuan gazetës, se ata po negociojnë me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha, në mënyrë që t’i marrin këtij të fundit tre deputetët, të cilët kanë qenë pjesë e listës së PD, por janë propozuar nga PR-ja e Mediut. Kjo do të thotë se nëse 3 deputetët e Partisë Republikane u bashkohen katër krerëve të partive aleate, grupi parlamentar quhet zyrtarisht i ngritur. Megjithatë, gjithçka do të vendoset ditën e sotme, pasi mësohet se zoti Duka, Mediu, Shehi dhe Dule do të takohen në orën 18:00 në një lokal diku tek stadiumi “Air Albania”.

Idrizi dhe Kryemadhi jashtë loje

Por nëse do të supozojmë se nisma e aleateve tradicionalë të Partisë Demokratike për të krijuar grup parlamentar më vete merr jetë, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet, dalin jashtë loje. Arsyeja e parë është për shkak se këto dy parti janë lënë jashtë negociatave nga aleatët e Bashës të udhëhequra nga PAA, PR, LZHK dhe PBDNJ. Ndërkohë arsyeja e dytë është fakti se këto dy parti do të jenë në Parlament pa grup parlamentar, pasi PDIU ka marrë 2 mandate deputetësh, falë PD-së që futi zotin Shpëtim Idrizi dhe zonjën Mesila Doda në listat e saj në zgjedhjet parlamentare, ndërsa LSI ka marrë vetëm 4 mandate deputetësh. Madje, Kryemadhit një goditje i ka dhënë edhe Basha, pasi kohët e fundit po tregohet hapur se mes Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Partisë Demokratike ka një ftohje. Sidoqoftë, mbetet të shihet në ditët në vijim se çfarë do të ndodhë më konkretisht.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here