Nën efektin e presionit të kohës dhe nevojës praktike që Afganistani të ketë tashmë një qeveri e të mos ngelej peng për një kohë të gjatë ndërsa vendime të rëndësishme duhet të marren mbi mbarëvajtjen e vendit, talebanët kanë bërë publike dje emrat e parë të asaj që e kanë quajtur një qeveri paraprake dhe të përkohshme. A jo që vihet re është se kjo qeveri është e përbërë nga emrat e anëtarëve të lartë të këtij grupimi, por se ende nuk është bërë e qartë nëse udhëheqësi i talebanëve, Mulla Hibatullah Akhundzada do të ketë një rol në qeverinë e re. Ai nuk është parë apo dëgjuar në publik që kur grupi rimori kontrollin mbi Afganistanin muajin e kaluar. Si komandant suprem i talebanëve, Akhundzada është përgjegjës për çështjet politike, ushtarake dhe fetare. Abdul Ghani Baradar, nënkryetari i ri i qeverisë, është një nga katër burrat që themeluan talebanët në Afganistan në 1994. Ai u bë nyja kryesore e kryengritjes pasi talebanët u rrëzuan nga pushtimi i udhëhequr nga SHBA në 2001. Por ai u kap në një operacion të përbashkët SHBA-Pakistan në qytetin jugor pakistanez të Karaçit në shkurt 2010. Ai qëndroi në burg për tetë vjet, derisa u lirua si pjesë e një plani për të lehtësuar procesin e paqes. Ai ka qenë kreu i zyrës politike të talebanëve në Katar që nga janari i vitit 2019. Në vitin 2020, Baradar u bë udhëheqësi i parë taleban që komunikoi drejtpërdrejt me një president amerikan pasi pati një bisedë telefonike me Donald Trump. Sa i përket përbërjes së qeverisë së re, Mullah Mohammad Hasan Akhund, një bashkëpunëtor i themeluesit të lëvizjes, Mullah Omar, do të udhëheqë qeverinë si kryeministër në detyrë; Bashkëthemeluesi i talebanëve Abdul Ghani Baradar do të jetë zëvendëskryetar; Mullah Mohammad Yaqoob, i cili ka mbikëqyrur operacionet ushtarake të grupit në Afganistan, është emëruar ministër i mbrojtjes; Sarajuddin Haqqani, djali i themeluesit të rrjetit Haqqani – i caktuar si një organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara – do të jetë ministri i ri i brendshëm; Abas Stanikzai do të jetë zëvendësministër i Jashtëm. Ajo që vihet re është se në qeverinë e re nuk është i përfshirë asnjë emër i gjinisë femërore.
Vijojnë protestat
Ndërkohë që bëhej procesi i përgatitjes dhe shpalljes së emrave të atyre që do të qeverisin Afganistanin, protestat vijonin në rrugët e Kabulit. Turmat ishin mbledhur për të denoncuar sundimin taleban dhe mbështetjen që shumë dyshojnë se marrin nga Pakistani, si dhe për të kërkuar të drejtat e grave. Kur u pyet për një përgjigje, zëdhënësi i talebanëve Zabihullah Mujahid tha se të gjitha demonstratat kanë nevojë për lejen e ministrisë së drejtësisë dhe policisë dhe asnjë nuk mund të ndodhë derisa të krijohet qeveria e re, ndërsa raportohej nga terreni për të shtëna paralajmëruese për të trembur turmat. “Ne duhet të pranojmë që në ditët e sotme vendi ka dalë nga kriza. Kjo nuk është koha për protesta. Nuk kishte ende qeveri. Ka rregulla për protestën. Ne e dimë se ka disa njerëz që duan të nxisin paqëndrueshmërinë nga jashtë vendit. Dhe ata duan të destabilizojnë qytetin dhe të sjellin kaos në qytet. Kjo është shqetësuese për qytetarët”, tha ai. Pamjet video të shpërndara në rrjetet sociale nga vendi i ngjarjes tregojnë njerëz që vrapojnë drejt vendeve që tu shpëtojnë plumbave të mundshëm, ndërsa të shtënat e forta të armëve mund të dëgjohen në sfond.
Reagon Blinken
Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ka mohuar raportet se talebanët kanë ndaluar disa qindra njerëz, përfshirë amerikanët të fluturojnë në një aeroport në Afganistanin verior. Raportet tregojnë se deri në 1.000 njerëz, përfshirë disa shtetas amerikanë, kanë mbetur të bllokuar në aeroportin në Mazar-i-Sharif prej ditësh duke pritur lejen për nisjen e fluturimeve të tyre. Ai tha se militantët kishin siguruar Uashingtonin se do të lejonin evakuimin e atyre me dokumentet e duhura nga Afganistani. Sidoqoftë, ai pranoi që disave u mungonte dokumentacioni i nevojshëm i udhëtimit dhe atyre i është ndaluar udhëtimi. “E kuptoj që talebanët nuk i kanë mohuar daljen askujt që mban një dokument të vlefshëm, por ata kanë thënë se ata pa dokumente të vlefshme, në këtë pikë, nuk mund të largohen”, tha Blinken.







































